Irani po intensifikon aktivitetin në internet, që synon të ndikojë në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në një rast vuri në shënjestër sistemet e postës elektronike të zyrtarëve të fushatave të kandidatëve për president, tha kompania Microsoft të premten.
Hakerët iranianë gjithashtu kanë punuar muajt e fundit në krijimin e faqeve të internetit me lajme të rreme, duke imituar aktivistë për të hedhur bazat për të nxitur ndasitë dhe për të ndikuar tek votuesit amerikanë në vjeshtë, veçanërisht në shtetet që do të jenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, njoftoi gjigandi amerikan i teknologjisë.
Raporti i kompanisë Microsoft jep më shumë hollësi se sa kanë ofruar deri më tani zyrtarët e agjencive amerikane të zbulimit, duke dhënë shembuj specifikë të grupeve iraniane dhe veprimeve që ata kanë ndërmarrë deri më tani. Misioni i Iranit në OKB mohoi se Teherani kishte plane për ndërhyrje kibernetike në zgjedhjet presidenciale në Shtetet të Bashkuara.
Raporti nuk specifikon qëllimet e Iranit përveç mbjelljes së kaosit në Shtetet e Bashkuara, megjithëse zyrtarët amerikanë kanë lënë të kuptohet më parë se Irani kundërshton veçanërisht ish Presidentin Donald Trump. Zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë shprehur alarmin për përpjekjet e Teheranit për të kërkuar hakmarrje për një sulm amerikan të urdhëruar nga ish Presidenti Trump në vitin 2020, në të cilin u vra një gjeneral i lartë iranian. Këtë javë, Departamenti i Drejtësisë ngriti akuza penale kundër një pakistanezi me lidhje me Iranin, i cili dyshohet se kishte kurdisur komplote vrasjesh që kishin në shënjestër shumë zyrtarë amerikanë, përfshirë zotin Trump.
Raporti zbulon gjithashtu se si Rusia dhe Kina po shfrytëzojnë polarizimin politik në Shtetet e Bashkuara për të përhapur mesazhet e tyre përçarëse në këtë vit të rëndësishëm zgjedhor.
Raporti i kompanisë Microsoft identifikon katër shembuj të aktivitetit të fundit iranian, që kompania pret të rritet me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit.
Së pari, një grup i lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit në qershor vuri në shënjestër një zyrtar të rangut të lartë të një ekipi të fushatës presidenciale përmes një sulmi kibernetik ndaj emailit të tij, një formë sulmi që përdoret shpesh për të mbledhur informacione sekrete, sipas raportit, i cili nuk identifikoi se për cilin kandidat bëhej fjalë. Grupi fshehu origjinën e emailit duke e dërguar atë nga llogaria e emailit të hakuar të një ish-këshilltari të lartë, tha kompania Microsoft.
Ditë më vonë, grupi iranian u përpoq të hynte në një llogari që i përkiste një ish-kandidati presidencial, por nuk pati sukses, thuhet në raportin e kompanisë Microsoft.
Në një rast tjetër, një grup iranian krijoi faqe interneti që paraqiten si faqe lajmesh me seli në Shtetet e Bashkuara për të vënë në shënjestër votuesit në anët e kundërta të spektrit politik, thuhet në raport.
Një faqe e lajmeve të rreme e krijuar për të tërhequr votuesit me prirje të majta e fyen zotin Trump, duke e quajtur “të çmendur” dhe sugjeron se ai përdor drogë, thuhet në raport. Një faqe tjetër që synon të tërheqë votuesit republikanë përqendrohet në çështjet e komunitetit LGBTQ dhe operacionet për ndryshimin e gjinisë.
Një shembull i tretë i përmendur nga Microsoft zbuloi se grupet iraniane po imitojnë aktivistët amerikanë, duke hedhur potencialisht bazat për operacionet e ndikimit më afër zgjedhjeve.
Më në fund, një grup tjetër iranian në maj komprometoi një llogari në pronësi të një punonjësi qeveritar në një shtet të rëndësishëm për zgjedhjet, thuhet në raport. Nuk është qartë nëse ky sulm kibernetik kishte lidhje me përpjekjet për ndërhyrje në zgjedhje.
Në raportin e kompanisë Microsoft thuhet se ndërsa Irani po intensifikon përpjekjet kibernetike për ndikim në zgjedhjet amerikane, edhe grupet e lidhura me Rusinë po bëjnë përpjekje për të gjetur mënyra për të ushtruar ndikim në zgjedhjet e nëntorit. Grupet e lidhura me Partinë Komuniste të Kinës kanë shfrytëzuar protestat pro-palestineze në universitetet amerikane dhe ngjarje të tjera në përpjekje për të rritur më tej tensionet politike në Shtetet e Bashkuara.
Kompania Microsoft tha se ka vazhduar të monitorojë se si vendet armike po përdorin teknologjinë e inteligjencës artificiale. Teknologjia me kosto gjithnjë e më të ulët, që mund të përdoret për krijimin e imazheve dhe videove ka rritur shqetësimin në mesin e disa ekspertëve se mund të përdoret për të mashtruar votuesit amerikanë në këtë cikël zgjedhor./VOA