Vendosni fjalën kyçe....

Protesta në Serbi kundër ndërtimit të minierës së Litiumit


Ndërtimi i minierës së litiumit në luginën e lumit Jadar në perëndim të Serbisë, u bë shkak për një protestë masive në Beograd, për shkak të bindjes së një pjese të qytetarëve dhe aktivistëve se miniera do të kishte pasoja të mëdha për mjedisin.

Litiumi është një mineral që përdoret për bateritë në telefonat celularë, kompjuterët dhe makinat elektrike.

Për këtë çështje, më 19 korrik në Serbi qëndroi kancelari gjerman, Olaf Scholz, për të nënshkruar një Memorandum mirëkuptimi ndërmjet BE-së dhe Serbisë për partneritet strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e prodhimit të baterive dhe automjetet elektrike.

Me atë rast, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se projekti i kompanisë Rio Tinto, që parasheh nxjerrjen e litiumit, është i mirë për Serbinë.

Sipas mediave në Serbi, në këtë protestë po marrin pjesë mijëra njerëz, dhe po bërtasin “Tradhti, tradhti, nuk do të gërmosh”.

Protesta e sotme do të jetë e fundit në serinë e 50 tubimeve të qytetarëve që nisën në fund të qershorit në Serbi.