Vendosni fjalën kyçe....

Situata e zjarreve në vend, bie intensiteti i flakëve në Malin e Thatë, 11 vatra ende aktive


Pas 6 ditësh në flakë, intensiteti i zjarrit nëMalin e Thatë në Pustec, ka rënë.

 Vatrat aktualisht janë të veçuara nga njëra-tjetra por po mbahen nën kontroll. Zjarri është në një territor të thyer dhe në një distancë të largët nga zonat e banuara. Prej orës 05:30 të mëngjesit të sotëm të gjitha forcat janë angazhuar në terren.

Në terren ditën e sotme kanë zbritur rreth 70 forca, te shërbimit të MZSH-ve, të Forcave të Armatosura te Repartit Ushtarak Drenovë (Korçë), atyre të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor, etj.

Vazhdon që të jetë jo pak problematike situata nga zjarret në vendin tonë.

Mësohet se në Delvinë nuk ka më vatra zjarri, ndërsa vatra ka ende në Kostar dhe në Mesopotam të Bashkisë Finiq.

Situata nga zjarret:

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 47 vatra zjarri. Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 36 prej tyre, ndërsa 11 vatra vijojnë të mbeten aktive.

Në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, strukturat vendore kanë punuar pa ndërprerje për izolimin e vatrës së zjarrit. Zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë.

Në qarkun e Tropojës, janë aktive dy vatra zjarri: në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen si dhe në fshatin Çeren, ku vatra e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Alpeve është përhapur dhe terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen.

Në fshatin Kus, të njësisë administrative Bërzhitë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në Malin Lugë. Vatra është e izoluar dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.

Në fshatin Tërnovë në bashkinë e Bulqizës, vatra e zjarrit vijon rë jetë aktive pavarësisht përpjekjeve të shumta nga forcat në terren për ta vënë nën kontroll.

Në fshatin Selixë të bashkisë së Matit zjarri është aktiv në dy vatra. Për shkak të erës së fortë, izolimi ende nuk është arritur.

Në fshatin Skuraj, në bashkinë e Kurbinit, nuk ka zjarr të hapur, por tymi vijon si rezultat i djegies së humusit nën bimësi.

Në vendin e quajtur Mali i Pusit, përballë fshatit Zhulat dhe mbi fshatin Sotirë, në bashkinë e Dropullit situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit, ku zjarri aktiv ka kaluar në kurorën me pisha. Forcat vendore janë në monitorim të situatës.

 Në fshatin Kostar, në bashkinë e Finiqit dhe në fshatin Mërtiraj të bashkisë Selenicë, zjarri vijon të mbetet aktiv por nuk paraqet rrezik për banesat. Po punohet intensivisht për shuarjen e tij.

Nën bashkërendimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Forcat tona të Armatosura kanë përforcuar përpjekjet e ekipeve të pushtetit vendor, dhe kanë izoluar vatra të rrezikshme në terrene të vështira. #TëGatshëmNëÇdoKohë”, njofton Ministria e Mbrojtjes.