Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e 42-vjeçarit, Rrumbullaku urdhëron inspektim të DVP së Korçës


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të kryer një vlerësim të zbatimit të detyrave nga strukturat e policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe në Komisariatin e Pogradecit. Kjo pas një ngjarjeje të rëndë ku një 42-vjeçar humbi jetën pas një konflikti.

Shkak u bënë lajmet dhe dyshimet e hedhura nga disa media ditën e djeshme, se Policia kishte fshehur krimin e vrasjes dhe mbrojtur autorin e sulmit fatal, që është i afërm i zyrtarëve të lartë vendorë. 

Drejtoria e Standardeve Profesionale do të shqyrtojë të gjitha veprimet dhe reagimet e punonjësve të policisë që nga momenti i marrjes së njoftimit për ngjarjen, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive dhe identifikimin e personave që mund të kenë abuzuar me detyrën.

Nga ana tjetër, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka sqaruar se nuk është tentuar të manipulohet apo fshihet ngjarja nga policët e Komisariatit të Policisë Pogradec. Sipas tyre, ngjarja është trajtuar me seriozitet dhe janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë sekuestrimin e kamerave dhe arrestimin e autorëve.

“Bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor,  Muhamet Rrumbullaku, urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit, lidhur me ngjarjen ku, pas një konflikti, humbi jetën një 42-vjeçar.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të vlerësojë të gjithë tërësinë e veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë.

Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit shpreh edhe një herë angazhimin maksimal për zbatimin e ligjit dhe punën profesionale dhe me integritet të strukturave të policisë”, shkruhet ne njoftimin e policise se Shtetit.

Nisur nga disa lajme të publikuara në rrjete sociale në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme në Pogradec, ku si pasojë e një konflikti humbi jetën një 42-vjeçar, dhe për këtë aludohet se është tentuar të fshihet ngjarja nga Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec, sqarojmë opinionin publik se:

Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të manipulohet apo fshihet ngjarja.

Ngjarja është vlerësuar maksimalisht nga Strukturat e DVP Korçë dhe ato të  Komisariatit  Policisë Pogradec është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, është ngritur Grupi hetimor, janë sekuestruar kamerat e lokalit, janë shoqëruar disa persona, që kanë qënë prezent në momentin e ngjarjes dhe janë kryer të gjitha veprimet e para në vendin e ngjarjes me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e saj.

Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi  i ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit dhe tre shtetasve të tjerë për moskallëzim krimi, dhe materialet procedurale janë përcjellë në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore që rezultuan me zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka dhënë njoftim zyrtar me versionin zyrtar.

Ftojmë mediat dhe këdo që është i interesuar për informacion mbi veprimtarinë e strukturave policore apo për ngjarjet e ndodhura në territorin e Qarkut Korçë, që t’i drejtohet zyrës së Komunikimit me Median e Publikun në DVP, dhe jo t’i referohen burimeve jo zyrtare.

Garantojmë qytetarët dhe median se Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe strukturat në varësi të saj janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurt për qytetarët, pushuesit, vizitorët dhe turistët”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës.