Partia Demokratike ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Ministren e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, duke e akuzuar se ka fryrë kosot e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë.
Grupi i PD-së, përmes kryetarit Gazment Bardhi, ka ngritur padi ndaj ministres Belinda Balluku nën dyshimin se ka kryer veprat penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
“Ky kallëzim ka lidhje me kosotot e fryra të ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, ku dyshohet se vlera e tij u shtua më 30 milion euro që i shkuan një kompanie turke, e cila nuk bëri asnjë punim”, thuhet në njoftim.
Konkretisht, në kallëzimin e grupit parlamentar të PD evidentohen 10 faktet dhe provat si më poshtë:
1- Në datën 14.12.2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur tenderin me objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë”. Në këtë procedurë paraqiti ofertë shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë rreth 140 milionë euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vendosi anullimin e tenderit dhe “çuditërisht” shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. e skualifikuar nga gara nuk bën ankim ndaj vendimit të skualifikimit nga procedura e prokurimit.
2- Në datën 24.06.2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rishpalli tenderin me të njëjtin objekt. Në këtë garë morën pjesë pesë operatorë ekonomikë, nga ku rezulton se 4 operatorë u skualifikuan dhe vetëm Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë (BOE) INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK dhe ASL INSAAT TAAHHUT u kualifikua dhe u shpall fitues në datën 08.10.2021, me ofertë rreth 170 milionë euro. Shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., nuk ka marrë pjesë në garë, ndërkohë që oferta fituese është 30 milion euro më shumë se oferta që kishte paraqitur shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. në procedurën e parë.
3- Në datën 08.11.2021, operatorët fitues të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, themeluan shoqërinë e thjeshtë “INTEKAR – ASL”. Dokumentacioni për regjistrimin e shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit është bërë nga shtetasja Rovena Dorëzi, e cila rezulton të jetë e punësuar si juriste në shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.a.
4- Nga verifikimi i pagesave nëpërmjet Degës së Thesarit Tiranë, rezulton se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer 36 pagesa, me vlerë totale rreth 170 milionë euro.
5- Punimet e nënkontraktimit janë kryer nga shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., logot dhe punonjësit e të cilës shfaqen në të gjitha inspektimet që janë kryer nga shtetasja Belinda Balluku, gjatë kryerjes së punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Përveç kësaj, nga verifikimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit shoqëria “INTEKAR – ASL” nuk rezulton të ketë asnjë licencë aktive, të cilat janë të domosdoshme për kryerjen e punimeve të ndërtimit të tunelit të Llogarasë.
6- Nga analiza e pasqyrave financiare për vitet 2021 – 2023, shoqëria ka deklaruar se ka fituar në total 23.5 milionë euro, ndërkohë që në detajimin e zërave të shpenzimeve rezulton se 97.5% – 99% janë pagesa të kryera për nënkontraktim, pra kompanisë “Gjoka Konstruksion” sh.a.
7- Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshminë publike të një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit.
8- Nga analiza e fakteve dhe të dhënave të mësipërme, del se punimet për ndërtimin e tunelit të Llogarasë u kryen efektivisht nga shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a., e cila kishte marrë pjesë në procedurën e parë të anulluar të prokurimit dhe kishte ofruar për ndërtimin e tunelit vlerën prej rreth 140 milionë euro. Në fakt, rezulton që shpenzimi për ndërtim u krye po me këtë vlerë, sepse shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. që bërë punimet me nënkontraktim u pagua po me këtë shumë, por në këtë rast jo drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit por përmes një ndërmjetësi që ishte kompania turke “INTEKAR – ASL”, i cila përfitojë 30 milion euro pa bërë asnjë punë.
9- Diferencë prej 30 milionë euro është “tarifë suksesi” e shoqërisë “INTEKAR – ASL”, pa kryer asnjë punë, pasi të gjitha punimet janë realizuar nga shoqëria shqiptare “Gjoka Konstruksion” sh.p.k..
10- Nga kjo skemë, mbi të cilën rëndojnë dyshime serioze për korrupsion apo abuzim me detyrën, Buxhetit të Shtetit provohet se i është shkaktuar një dëm prej të paktën 30 milionë euro, për shkak se nuk pasqyrohet ndonjë shpenzim për këtë vlerë.
PD bën të ditur se dokumentacioni i plotë, sëbashku me shkeljet përkatëse, që kanë sjell abuzimin me të paktën 30 milionë euro ndaj Buxhetit të Shtetit, dhe që dyshohet se është vlera e “tarifës së korrupsionit”, i janë vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme.
Gjithashtu, Grupi Parlamentar i PD ka kërkuar nga SPAK që të nisë menjëherë hetimin e plotë dhe të gjithëanshëm mbi këtë çështje dhe të vendos përpara përgjegjësisë penale zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës e Energjisë Belinda Balluku, si dhe çdo person tjetër që do të rezultojë gjatë hetimeve që ka përgjegësi penale për këtë abuzim.