Vendosni fjalën kyçe....

Kapen 148 kilogramë kokainë në portin e Livornos, arrestohen 3 shqiptarët


Misioni kriminal dështoi për tre korrierët shqiptarë të drogës që hynë ilegalisht në portin industrial të Livornos për të marrë 148 kilogramë kokainë në një kontenier që vinte nga porti i Guayaquilit, me një ngarkesë me banane me destinacion Zvicrën.

Korrierët, siç raporton Il Tirreno, u arrestuan nga Guardia di Financa dhe tani ndodhen në burg në Livorno.

Fiamme Gialle veproi në bazë të sinjalizimeve të ndara me Agjencinë Doganore.

Skaneri identifikoi 139 pako brenda kontejnerit, më pas policia priti disa orë për të kapur këdo që vinte për të mbledhur ngarkesën. Korrierët nuk kanë bërë rezistencë dhe janë arrestuar. Ata nuk janë banorë të Italisë, nuk kishin dokumente dhe ishte e vështirë për t’i identifikuar. Dy janë vëllezër.

Ata do të merrnin një dëmshpërblim prej disa mijëra eurosh nëse ngarkesa do të dilte nga porti me sukses. Gjykata e Livornos vërtetoi sekuestrimin dhe arrestimet me operacionin që daton disa javë më parë.

Është kapja më e madhe e kokainës në vitet e fundit në portin e Livornos. Droga nuk ndalet në qytetin toskan por nga këtu shpërndahet nga trafikantë në Itali dhe jashtë saj. Në gadishull, këto sasi të mëdha kokaine zakonisht përfundojnë kryesisht në rrugën Milano-Brescia dhe në kryeqytetin Romë, një pjesë shkon në Toskanë, ndërsa në verë tragetet nga Livorno favorizojnë shpërndarjen e mëtejshme edhe për Sardenjën, drejt Olbia dhe Kosta Smeralda.