Vendosni fjalën kyçe....

Rrahja për vdekje e Egli Progës, e motra: Lënia e lirë e 3 të arrestuarve, padrejtësi nga gjykata


Motra e Egli Progës e ka cilësuar si vrasje nga gjykata caktimin e masës ‘detyrim paraqitje’ për 3 të arrestuarit për mos kallëzim krimi, ndërsa autori Denis Meçi u la në burg me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

“Po flisni për padrejtësi që filloi nga policia e shtetit, padrejtësi duke filluar nga regjistrimet, çdo akt që kanë sjellë ata, akt që ka shoqëruar edhe gjykatën në padrejtësi. Janë lënë të lirë të gjithë vrasësit, flasim për padrejtësi të menjëhershme, në kohë, në bashkëpunim. Flasim për banda të bëra bashkë. Kam parë skedën e vdekjes, me shënim “është vrasje”. Çfarë janë këta të tjerët që lihen me detyrim paraqitje?

Po vazhdon të vritet Egli, me çdo veprim dhe mosveprim që është duke u kryer. Kjo është vrasje për herë të tretë.

Po flasim për vrasje me dashje, në bashkëpunim, në masë, të një njeriu të pafajshëm dhe janë lëshuar një tufë huliganësh. Kjo është.

Duke njohur kontingjentet, unë nuk jam në dijeni për gjobë, por duke njohur elementët është gjëja më e rëndë. Kur guxohet ta vrasësh, me grushte një njeri, do të thotë që çdo gjë tjetër është e mundur. Është bërë më ekstremi, më e madhja.”- u shpreh motra e viktimës para gjykatës.

Ndërsa i afërmi tjetër i Egli Progës hodhi akuza të forta: “Gjithçka pritet nga këta kriminela. Në qytetin e Pogradecit këta njihen shumë mirë për gjobëvënie, jam pa fjalë. Nuk di çfarë të them. Dua që drejtësia të vihet në vend. Ju lutem mediat të bëjnë të pamundurën, të zbardhin të vërtetën ose nuk e di çtë them. Këta janë kriminela të gjithë në bashkëpunim.”