Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri prej nëntë ditësh në Parkun e Prespës, nis operacioni i shuarjes nga ajri me avionët e ardhur nga Rumania


Nis ndërhyrja nga ajri për në Parkun Kombëtar të Prespës, në qarkun e Korçës, ku prej 9 ditësh me radhë, një sipërfaqe e madhe është përfshirë dhe djegur nga flakët, me pasojë dëme të konsiderueshme në biodiversitet.

Zyrtarët vendorë të emergjencave njoftojnë se situata e rrezikshme dhe jashtë kontrollit ka bërë që të nisë edhe ndërhyrja nga ajri, e mbështetur edhe me pamje prej vendngjarjes.

Në operacion janë përfshirë avionët e ardhur nga Rumania sot (14 Gusht), në mbështetje të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencave, për të përballuar situatën e zjarreve, që po e mundon vendin prej ditësh.

Ndërsa në terren aktualisht janë më shumë se 100 forca të angazhuara nga zjarrfikësit e qarkut, trupa të ushtrisë dhe policisë.

Dy avionë të Forcave të Armatosura të Rumanisë mbërritën sot në Shqipëri duke iu bashkuar përpjekjeve të forcave shqiptare. Mjetet fluturuese vijnë si mbështetje e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.

Ekuipazhet rumune do të dislokohen për gati 10 ditë në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku do të koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, për t’u angazhuar që sot, në vatrat e zjarrit ku situata është më kritike dhe e kanë nisur me zonën e parkut të Prespës, në qarkun e Korçës.