Vendosni fjalën kyçe....

Suedia mund të paguajë emigrantët për t’i nxitur të largohen


Suedia mund të zgjerojë një program sipas të cilit qytetarët e rinj që po luftojnë për t’u integruar në shoqëri nxiten të largohen, sipas një propozimi të dorëzuar tek ministrja e Emigracionit Maria Malmer Stenergard.

E ashtuquajtura skema e “riatdhesimit vullnetar” në Suedi, u ofron refugjatëve dhe emigrantëve një pagesë një herë prej 10,000 kronash suedeze (rreth 960 dollarë) për të rritur dhe 5,000 për fëmijë, plus kostot e udhëtimit, nëse ata pranojnë të largohen nga vendi.

Megjithatë, një komision hetimor ka rekomanduar zgjerimin e këtij programi për të përfshirë jo vetëm mbajtësit e lejeve të qëndrimit të përkohshëm ose të përhershëm por edhe shtetasit suedezë të natyralizuar dhe anëtarët e familjeve të tyre.

Raporti, i dorëzuar këtë javë, sugjeroi gjithashtu zbatimin e një kërkese ripagimi për ata që kanë marrë paratë, por nuk janë larguar. Në të njëjtën kohë, ajo hodhi poshtë një propozim për të rritur shumën, për shkak të shqetësimeve se mund të dërgonte një “sinjal të gabuar” për emigrantët se ata “nuk janë të mirëpritur” në Suedi.

“Propozimi tani do analizohet në Ministrinë e Drejtësisë”, shkroi ministrja e Emigracionit Maria Malmer Stenergard në X, duke pranuar se programi i deritanishëm ka qenë joefektiv, me shumë pak njerëz të vetëdijshëm për mbështetjen e disponueshme.

Popullsia e huaj e Suedisë është dyfishuar në dy dekadat e fundit dhe, që nga viti 2023, arrin në mbi 2.15 milionë, që është më shumë se një e pesta e popullsisë së vendit. Megjithatë, pasi mori një numër rekord emigrantësh në vitin 2015, Stokholmi vendosi kufizime që e bënë politikën e emigracionit të vendit një nga më të ashprat në Evropë.

Si rezultat, vitin e kaluar, për herë të parë në më shumë se pesë dekada, më shumë njerëz u larguan nga Suedia sesa mbërritën, sipas Stenergard.