Vendosni fjalën kyçe....

Kampioni në fuqi i Seria A e nis me barazim sezonin e ri


Interi e ka nisur keq sezonin e ri në Serie A.

Kampioni i Italisë barazoi 2:2 në udhëtim ndaj Genoas, në xhiron e parë të elitës së futbollit italian, duke e nisur jo mirë mbrojtjen e titullit të kampionit.

Ishin vendasit ata të cilët kaluan të parët në epërsi në minutën e 20-të kur Vogliacco realizoi.

10 minuta më pas, Marcus Thuram barazoi shifrat me një gol me kokë pas krosimit të saktë të Barellas.

Pikërisht Marcus Thuram realizoi edhe për përmbysjen e rezultatit dhe epërsinë e zikaltërve në minutën e 85-të.

Por, minutat shtesë ishin fatale për skuadrën e drejtuar nga Simone Inzaghi.

Një lojë me dorë brenda zonës bëri që gjyqtari të akordojë penallti për Genoan.

Penalltinë e Messias e priti Sommer, por nga topi i kthyer, Messias arriti të shënonte për një pikë të madhe të Genoas.

Kësisoj, Interi e nis me një pikë nga ndeshja e parë mbrojtjen e titullit të kampionit në Serie A.