Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali takon të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn


Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u takua me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së ShBA, Nancy VanHorn.

Gjatë takimit, diplomatja amerikane VanHorn e uroi Spiropalin me rastin e zgjedhjes Kryetare e Kuvendit dhe shprehu gadishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm midis Kuvendit dhe Ambasadës së ShBA, për mbështetjen e zhvillimit, demokratizimit, konsolidimit të institucioneve dhe integrimit euro-atlantik të Shqipërisë.

Gjithashtu Kryeparlamentarja Spiropali e uroi të Ngarkuarën me Punë, VanHorn, për misionin e saj në Shqipëri dhe e njohu me disa nga prioritetet e punës së Kuvendit dhe të sesionit të ri parlamentar.

Kryetarja Spiropali nënvizoi se në detyrën e Kryetares së Kuvendit do të udhëhiqet nga Kushtetuta, ligjet, përpjekjet maksimale për konsensus, racionalitet, konstruktivitet dhe transparencë, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha grupet parlamentare dhe opozitën.

Spiropali dhe VanHorn diskutuan edhe mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe ShBA, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve amerikane në Shqipëri, rolin e Kuvendit në thellimin e reformave, sidomos reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës, avancimin e procesit të anëtarësimit në BE, fuqizimin e institucioneve të pavarura, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe qytetarët.

660c4627 3bb6 4e26 A57d B1aef7228ad7