Vendosni fjalën kyçe....

Pagesat me kartë u rritën me 36% për gjysmën e parë të vitit


Pagesat me kartë po rriten me ritme të shpejta edhe për këtë vit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 8.85 milion pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë është rritur me 36% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 37 miliard lekë, me një rritje prej 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke pasur parasysh se periudhat e pikut turistik korrik-gusht shoqërohet me rritje të pagesave me kartë, është e pritshme që vlera e pagesave për gjysmën e dytë të vitit të jetë më e lartë.

Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit është ndër faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në Shqipëri.

Megjithatë, përveç ndikimit të ndjeshëm të turizmit, vlerësohet se edhe përdorimi i pagesave me kartë nga rezidentët është në rritje në vitet e fundit, sidomos pas periudhës së pandemisë.

Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 21 775, në rritje të mëtejshme me 23% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.

Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi. Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e vitit 2024 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.48 milionë, në rritje me pothuajse 6% krahasuar me një vit më parë.

Numri i kartave të debitit arriti në 1.29 milion, në rritje 7% krahasuar me një vit më parë. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën afërsisht 87% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.

Ndërkohë, në dy vitet e fundit i janë kthyer rritjes edhe kartat të kreditit. Në mesin e këtij viti, numri i kartave aktive të kreditit të sektorit bankar arriti në pothuajse 121 mijë, me një rritje prej 4% krahasuar me një vit më parë. Ndryshe nga kartat e debitit, që në masën më të madhe vazhdojnë të përdoren për tërheqje të parasë cash nga llogaritë, kartat e kreditit janë një produkt I dedikuar kryesisht për pagesa jo cash./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor