Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënimet ndaj gazetarit Ervin Baku, Unioni i Gazetarëve thirrje autoriteteve: Policia ta mbrojë, autorët para ligjit


Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar kërcënimet në adresë të gazetarit sportive Ervin Baku pas shfaqjes së tij me një fanelë sportive me simbolet e Serbisë. Në një deklaratë për shtyp UGSH-ja

solidarizohet me gazetarin duke i bërë tirrje policisë dhe organeve ligjzbatuese që të marrin masa për të ndalur sulmet ndaj Bakut si dhe ndëshkimin ligjor të autorëve.

Në reagim theksohet se sulmet janë agresion i egër ndaj lirisë individuale dhe profesionale.

Deklarata e plotë Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

”Kërcënimet dhe sulmet tronditëse me fyerje, shpifje dhe stigmatizime ndaj gazetarit sportiv Ervin Baku janë agresion i egër ndaj lirisë individuale.

Tiranë më 22.08.2024

UGSH është bërë me dije nga gazetari i njohur sportiv Ervin Baku se mëngjesin e së enjtes ka denoncuar në Policinë e Shtetit, pranë Drejtorisë Rajonale të Tiranës, në sektorin e antikriminimit kibernetik, emra dhe persona që në faqet publike online kanë gjeneruar një një numër i madh ofendimesh, shantazhesh, kërcënimesh e stigmatizimesh e deri tek agresioni fizik ndaj gazetarit për shkak të paraqitjes së tij në një ekran me disa simbole serbe, e cila ka qenë një bluzë e dhuruar për koleg, nga një trajner i një ekipi serb. Gazetari Baku ka shpjeguar publikisht se ky gjest, i pa menduar për kuptim apo ndjeshmëri publike provokuese, ka sjellë një situatë të pazakontë kërcënimesh, fyerjesh, shpifjesh dhe etiketimesh ndaj gazetarit.

Një ditë pas kësaj shfaqjeje në ekran, kolegu Baku ka publikuar një deklaratë ku kërkon simpatinë për publikun masiv dhe për të gjithë personat e prekur apo provokuar nga kjo neglizhencë, siç e karakterizon vetë kolegu.

Por edhe pas këtij publikimi rripi i kërcënimeve, fyerjeve dhe shpifjeve vazhdon të “derdhet”, ndaj tij dhe imazhit të tij profesional.

UGSH vlerëson plotësisht faljen publike të kolegut dhe shpjegimin e tij të sinqertë. Duke shprehur shqetësimin e thellë për një përmbytje kaq masive stigmatizuese dhe intolerante ndaj kolegut tonë jo vetëm brenda Shqipërisë, por shumë më tepër.

UGSH shpreh solidaritetin e plotë me kolegun Ervin Baku dhe vlerëson qasjen e tij përmes një ndjenje bindëse publike.

Njohja e anëtarësimit të kolegut tonë dhe veçanërisht veprimtarisë dhe ndjenjës së tij kombëtare, na bën më aktivë solidarë për ndalimin e menjëhershëm të këtyre sulmeve dhe për të mos vijuar situatën agresive ndaj tij!

Kërkojmë nga autoritetet policore, në bashkëpunim me strukturat e tjera të sigurisë dhe mbrojtjes civile, të reagojnë energjikisht për të ndalur këto sulme dhe këtë agresion. Kërkojmë ndëshkimin ligjor të agresorëve që shkojnë deri në kërcënimin e jetës së kolegut!

Është rasti që UGSH, si organizata më e madhe e gazetarëve në Shqipëri, të kërkojë dhe të ndjekë solidaritetin e organizatave gazetareske në Republikën e Kosovës dhe në Maqedoninë e Veriut, në emër të kolegut të kërcënuar.

Ne apelojmë dhe ndajmë qëndrimin tonë që rastet e agresioneve (kryesisht në hapësirën virtuale) duhet të ndalen dhe të mos kthehen në kryqëzata fanatike apo ekstremistësh në turmë, kundër gazetarëve, aq më tepër ndaj atij që respekton profilin profesional, që të një gazetari sportiv.

Zyra e Informacionit

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.”