Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e trefishtë më thikë në festivalin muzikor në Gjermani, arrestohet një person


Policia gjermane tha se kishte arrestuar një person disa orë pas vrasjes së tre personave dhe plagosjes së tetë të tjerëve në një sulm me thikë në një festival në qytetin perëndimor gjerman të Solingen.

Policia tha pasdite se po hetonte nëse i arrestuari kishte një lidhje të mundshme me sulmin.

“Hetimet dhe kërkimet për autorë të mundshëm të mëtejshëm dhe shkaqet e krimit janë në vijim”, tha policia.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:40 të mbrëmjes të së premtes, kur burri sulmoi disa njerëz me thikë, tha policia, duke shtuar se motivi mbetet i paqartë.

“Autori duhet të kapet shpejt dhe të dënohet më ashpërsinë më të madhe që parashikon ligji,” tha kancelari gjerman Olaf Scholz në një postim në X.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, tha se forcat e sigurisë po bënin gjithçka që mundeshin për të kapur personin dhe për të hetuar sfondin e sulmit, i cili ndodhi në Fronhof, një shesh tregu në Solingen ku po luhej muzikë live në festivalin që shënonte 650-vjetorin e qytetit.

Policia kishte rrethuar sheshin të shtunën dhe kalimtarët vendosën qirinj dhe lule jashtë barrikadave.

Muzikanti gjerman i quajtur Topic tha se ishte duke luajtur në një skenë aty pranë kur ndodhi incidenti.