Vendosni fjalën kyçe....

E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë takon Manjën: Thelbësore zbatimi i plotë i reformës në drejtësi


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn. 

Në një postim në Facebook, ambasada e SHBA thotë se VanHorn dha mesazhin se është thelbësore zbatimi i plotë i reformës në drejtësi. VanHorn ka shprehur mbështetjen e SHBA për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua sot me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja. Ata diskutuan rolin thelbësor të zbatimit të plotë të reformës në drejtësi në rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë para drejt aspiratave euroatlantike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, për të forcuar institucionet e drejtësisë dhe në mbështetje të sundimit të ligjit”, shkruan ambasada.

Gjatë takimit, Manja e uroi znj. VanHorn për detyrën e re dhe diskutuan hapur mbi ecurinë e reformës në drejtësi, arritjet dhe sfidat që kanë përpara.

Të dy palët ndanë qëndrimin e përbashkët për të vijuar bashkëpunimin në reformat kyçe dhe të pakthyeshme në fushën e drejtësisë.

Në një postim në Facebook, Manja njoftoi se kishte informuar znj. VanHorn për punën e shkëlqyer të stafit teknik të të dy vendeve në Tiranë, në fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore në agjencitë e zbatimit të ligjit. Ai theksoi angazhimin e përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe zbatimin e plotë të reformës në drejtësi, si rruga e vetme drejt integrimit të Shqipërisë në Evropë.

Me znj. Nancy VanHorn, të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane  në Tiranë, pata një takim  miqësor kortezie dhe pune! 

E urova znj. VanHorn për detyrën e re, biseduam hapur për ecurinë e reformës në drejtësi, arritjet dhe sfidat që kemi përpara dhe ndamë qëndrimin e përbashkët për vijueshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë në reformat kyçe dhe të pakthyeshme në fushën e drejtësisë.  

E njoha znj. VanHorn dhe me punën e shkëlqyer që bëjnë stafet tona teknike të dy vendeve në Tiranë për fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore në agjencitë e zbatimit të ligjit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë  dhe shprehëm angazhimin e përbashkët për të punuar fuqimisht për forcimin e shtetit të së drejtës, zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe sundimin e ligjit si rruga e vetme e integrimit të Shqipërisë me Evropën! “, shkroi Manja ne facebook.