Një helikopter i Forcave të Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës u rrëzua të mërkurën në zonën e liqenit Jabllanica, në jug të Bosnje dhe Hercegovinës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ministria e Punëve të Brendshme e Kantonit Hercegovinë-Neretva.
“Në helikopter ishin katër anëtarë të ekuipazhit. Sipas informacioneve fillestare, tre prej tyre nuk janë lënduar, ndërsa njëri ka kërkuar ndihmë mjekësore”, tha zëdhënësi Ludevit Mariç.
Sipas tij, shkaku i aksidentit nuk dihet ende, ndërsa hetimet në lidhje me të, do të rezultojnë me më shumë detaje.
Forcat e Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës kanë në dispozicion më shumë se 40 helikopterë, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Midis tyre janë 35 helikopterë Mi-8, që janë prodhuar më shumë se 40 vjet më parë në Bashkimin e atëhershëm Sovjetik.
Më herët është paralajmëruar se ata do të hiqen nga përdorimi, për shkak të vjetërisë dhe pamundësisë për t’i mirëmbajtur.
Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan Bosnje dhe Hercegovinës katër helikopterë të rinj Bell, me vlerë rreth 35 milionë euro.
Njëri prej tyre u rrëzua dhe u dëmtua në prill të vitit 2022, gjatë një stërvitjeje./REL