Vendosni fjalën kyçe....

WFP nis hetime mbi operacionet e saj në Sudan ndërkohë që uria rritet


Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP) ka nisur një hetim për dy zyrtarë të saj të lartë në Sudan, mbi akuza që përfshijnë mashtrim dhe fshehje të informacionit nga donatorët lidhur me aftësinë e saj për të shpërndarë ndihma ushqimore për civilët në mes të krizës së rëndë të urisë në vend, sipas 11 personave të njohur me hetimin.

Hetimi nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të WFP-së po zhvillohet ndërkohë që krahu i ndihmës ushqimore të OKB-së po lufton për të ushqyer miliona njerëz në Sudan, i cili po përballet me një nga mungesat më të rënda të ushqimit në botë gjatë viteve të fundit.

Si pjesë e hetimit, hetuesit po shqyrtojnë nëse stafi i WFP-së është përpjekur të fshehë rolin e pretenduar të ushtrisë së Sudanit në bllokimin e ndihmave gjatë një lufte brutale 16-mujore me një grup paramilitar rival për kontrollin e vendit, sipas pesë burimeve të cituara nga Reuters.

Një nga të hetuarit në këtë çështje është zëvendësdrejtori i WFP-së për Sudanin, Khalid Osman, i cili është caktuar në një “detyrë të përkohshme” jashtë Sudanit, një pezullim i përkohshëm, sipas gjashtë burimeve.

Një zyrtar i dytë i lartë, menaxheri i zonës së WFP-së, Mohammed Ali, po hetohet në lidhje me zhdukjen e më shumë se 200,000 litrave karburant të organizatës në qytetin sudanez të Kosti, sipas katër burimeve, përcjell Reuters.

Kur u pyet për hetimin, WFP tha se “akuzat për sjellje të keqe individuale në lidhje me parregullsitë në pjesë të operacionit tonë në Sudan” janë nën shqyrtim urgjent nga zyra e inspektorit të saj të përgjithshëm, duke refuzuar të komentojë për natyrën e shkeljeve të pretenduara ose statusin e punonjësve specifikë.

Agjencia e ndihmës e qeverisë amerikane, USAID, konfirmoi se ishte njoftuar nga WFP më 20 gusht për “incidentet e mundshme të mashtrimit që prekin operacionet e WFP-së në Sudan“.

USAID tha se është donatori më i madh i vetëm për WFP-në, duke siguruar gati gjysmën e të gjitha kontributeve në një vit tipik.

Hetimi vjen në një moment kritik për WFP-në, e cila e përshkruan veten si organizata më e madhe humanitare në botë. Ajo fitoi çmimin Nobel për Paqe në vitin 2020 për rolin e saj në luftimin e urisë dhe promovimin e paqes.

WFP është duke luftuar urinë e rëndë në shumë fronte. Ajo po kërkon 22.7 miliardë dollarë financim për të arritur 157 milionë njerëz, përfshirë rreth 1.3 milionë që janë në prag të urisë, kryesisht në Sudan dhe Gaza, por edhe në vende si Sudani i Jugut dhe Mali.

Në vitet e fundit, megjithatë, operacionet e saj janë tronditur nga devijimi dhe vjedhja e ndihmave në vende duke përfshirë Somalinë dhe Jemenin.

WFP dhe USAID vitin e kaluar pezulluan përkohësisht shpërndarjen e ushqimit në Etiopi pas raportimeve për vjedhjen e përhapur të ndihmave ushqimore atje.

Sipas Komitetit të Rishikimit të Urise të IPC-së më 1 gusht, lufta dhe kufizimet e mëvonshme mbi shpërndarjen e ndihmave ishin faktorët kryesorë të krizës ushqimore në Sudan.

Gjithashtu, agjencitë e OKB-së kanë deklaruar se mungesa e aksesit ka kontribuar në paaftësinë e tyre për të arritur njerëzit në nevojë, kryesisht në zonat nën kontrollin e RSF-së si Khartoum dhe rajonet Darfur dhe Kordofan.

Megjithatë, agjencitë e ndihmave kanë shmangur fajësimin e hapur të ndonjërës palë ndërluftuese.