Një gjykatë zvicerane ka dënuar dy ish-drejtues të “PetroSaudi” me burgime të gjata për rolin e tyre në falimentimin e fondit sovran të Malajzisë “1MDB”, në një nga mashtrimet më të mëdha të të gjitha kohërave.
Tarek Obaid, ish-shefi ekzekutiv i kompanisë së prodhimit të naftës me bazë në Gjenevë, “PetroSaudi”, dhe krahu i tij i djathtë Patrick Mahony u gjetën të mërkurën se ishin përgjegjës për përvetësimin e më shumë se 1.8 miliardë dollarëve nga “1MDB”.
Ata u shpallën gjithashtu fajtorë për pothuajse 600 akuza pastrimi parash, në të cilat ata kërkuan të maskonin origjinën e vjedhur të më shumë se 12 miliardë dollarëve për organizatorin e dyshuar të mashtrimit, Jho Low dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Sipas ligjit zviceran, vendimi i gjykatës penale qendrore të vendit nuk do ketë fuqi të plotë juridike derisa të pandehurit të kenë shterur të drejtat e tyre të apelimit.
Gjykata në Bellinzona zbuloi se dyshja përdorën pozicionet e tyre drejtuese në “PetroSaudi” për të ekzekutuar tre nga vjedhjet më të pacipa në plaçkitjen e gjatë të “1MDB”, duke vepruar në bashkëpunim me Low në pozicionin e tij si këshilltar jozyrtar, por i fuqishëm i fondit sovran.
Low, një i besuar i ngushtë i ish-kryeministrit të Malajzisë Najib Razak dhe organizatori i dyshuar i mashtrimit me “1MDB” – i përshkruar nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA në vitin 2016 si rasti më i madh i kleptokracisë ndonjëherë në botë – është ende në arrati.
Najib u burgos nga autoritetet malajziane për rolin e tij në skandalin e mashtrimit në vitin 2020.
Obaid, me nënshtetësi të dyfishtë zvicerano-saudite, dhe zvicerano-britaniku Mahony ndihmuan në vjedhjen e shumave të mëdha nga “1MDB” midis viteve 2009 dhe 2011, thanë prokurorët zviceranë. Ata u paditën në prill të vitit të kaluar.
Të dy thuhet se i kanë përdorur paratë e vjedhura për të financuar stile jetese ultraluksoze, duke blerë gurë të çmuar dhe prona në Londër dhe Gjenevë dhe duke shpërdoruar shuma të mëdha në avionë privatë dhe jahte superluksozë.
Ishte “mashtrimi i shekullit”, tha kryeprokurorja Alice de Chambrier. Obaid dhe Mahony ishin “përllogaritës, manipulues dhe lakmitarë të turpshëm”, i tha ajo gjykatës në fillim të këtij viti, sipas agjencisë kombëtare zvicerane të shtypit Keystone-ATS.
Gjyqtarët dëgjuan se si të dy, së bashku me Low, mashtruan besnikët e “1MDB” në 2009, kështu që fondi investoi 1 miliard dollarë në atë që mendonte se ishte një sipërmarrje e ligjshme e përbashkët me “PetroSaudi”.
Madje ndërmjetësuan një takim në gusht të atij viti në një superjahtin “Alfa Nero”, në brigjet e Kanës me themeluesin e PetroSaudi-t, Princin Turki bin Abdullah al Saud – i cili nuk ishte në dijeni të natyrës së vërtetë të transaksionit – për të mundëësuar marrëveshjen duke i vënë atë në në një mjedis në dukje legjitimiteti, sipas aktakuzës së prokurorëve.
Në një maashtrim të dytë, Obaid dhe Mahony tërhoqën 500 milionë dollarë të tjera nga “1MDB” në vitin 2010 për atë që ata pretenduan se ishte një hua islamike.
Në një mashtrim të tretë, në maj 2011, ata morën 330 milionë dollarë për të financuar një “projekt shpimi inekzistent në Arabinë Saudite lindore”, pretendonte aktakuza.
Gjykatësit dhanë dënime me shtatë vjet për Obaid dhe gjashtë vjet për Mahoney.
“Gjykata konstatoi se kërkohej një dënim me burg duke marrë parasysh shumat tejet të larta të përfshira, intensitetin e veprimtarisë kriminale dhe motivin egoist”, thuhet në deklaratën e gjykatës.
Daniel Zappelli, avokati i Obaid, tha se klienti i tij “gjithmonë ka kundërshtuar kryerjen e çdo vepre penale dhe do pretendojë për një lirim të plotë para Gjykatës së Apelit”.
Avokati i Mahony nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Bordi i “1MDB” tha: “Ne mirëpresim vendimin e sotëm në Gjykatën Penale Federale të Zvicrës, që do të thotë se Patrick Mahony dhe Tarek Obaid do përballen me drejtësinë për rolin e tyre në përvetësimin dhe mashtrimin e popullit të Malajzisë dhe ne përgëzojmë autoritetet zvicerane për punën e tyre.”