Një udhëzim i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit përcakton mënyrën sesi do të jepen në përdorim të përkohshëm kullotat që gjenden brenda zonave të mbrojtura.
Sipas këtij dokumenti që tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare, agjencitë rajonale të zonave të mbrojtura kanë detyrimin e identifikimit të parcelave.
“AdZMja/ZAPK-ja, brenda datës 15 shkurt të çdo viti, identifikon/përcakton parcelat kullosore publike dhe private për dhënien në përdorim për kullotje, në përputhje me kërkesat teknike të përdorimit të kullotave, sipas legjislacionit në fuqi për kullotat dhe zonat e mbrojtura. Parcelat e ndodhura në kullotat që ndodhen në nënzonën qendrore të zonës së mbrojtur përjashtohen nga përdorimi sipas kërkesave të këtij udhëzimi” thuhet në dokument.
Për dhënien me qira të këtyre territoreve udhëzimi specifikon disa kushte që duhet të mbahen parasysh të tilla si;
të mos cenohen vlerat dhe funksionet natyrore e biologjike të territorit kullosor
të jetë në harmoni me elementet e vlerave të biodiversitetit që ka kullota
të kryhet çdo punim mirëmbajtjeje i cili konsiderohet i nevojshëm për ruajtjen e gjendjes natyrore dhe që sjellë përmirësimin e treguesve biologjikë të kullotës; të ruhet mbulesa barishtore nga mbikullotja, duke kontraktuar numrin e bagëtive sipas kapacitetit mbajtës të kullotës;
kullotja, pushimi dhe mrizimi i bagëtive, të bëhet nga subjekti i interesuar në sistem brezash të alternuar për të mundësuar ruajtjen e gjendjes normale të bimësisë barishtore.
Parcelat që identifikohen si të disponueshem dërgohen për miratim nga drejtori i përgjithshëm. Ndërkohë brenda datës 1 mars Agjencia Kombëtare e Zonave të mbrojtura dërgon në rrugë elektronike dhe shkresore pranë agjencive rajonale dhe bashkisë përkatëse listën e miratuar të parcelave/nënparcelave kullosore, e cila përmban: vendndodhjen, sipërfaqen, llojin e kullotës, kapacitetin kullosor të saj dhe infrastrukturën që e shoqëron.
Për marrjen me qira të kullotave publike që janë shpallur në listë, në çdo rast, subjektet e interesuara, paraqesin kërkesën me shkrim pranë bashkisë:
a) brenda datës 30 mars, për kullotat verore; b) brenda datës 10 korrik, për kullotat dimërore. Kërkesa duhet të specifikojë një sërë të dhënash duke nisur nga të dhënat dhe gjeneralitetet e kërkuesit e deri tek lista e objekteve që kërkohet të ndërtohen në ndihmë të aktivitetit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor