Vendosni fjalën kyçe....

“Jemi krenarë që s’i vumë sanksione Rusisë” – Vuçiç ia thotë në sy Macron-it


Beogradi nuk ka turp për zgjedhjen e tij për të mos vendosur sanksione ndaj Moskës, u tha gazetarëve presidenti serb Aleksandar Vuçiç në një konferencë për shtyp me homologun e tij francez Emmanuel Macron.

Të enjten, udhëheqësi francez mbërriti në Beograd për një vizitë dy-ditore. Palët nënshkruan marrëveshjen për shitjen e 12 avionëve “Rafale” të prodhimit francez për shtetin ballkanik. Shuma e marrëveshjes së nënshkruar, përfshirë pjesët e këmbimit dhe tarifat e shërbimit, arrin në 2.7 miliardë euro.

Kur u pyet nga një gazetar nëse shitja e avionëve tregon një zhvendosje nga Moska dhe afrim me BEnsë, Vuçiç u përgjigj se ndërsa e di se Macron do donte që Beogradi të angazhohej për sanksione kundër Moskës, kjo nuk do ndodhë.

“E di që Emmanueli do donte që ne të vendosnim sanksione ndaj Rusisë, por nuk kam turp për vendimin tim”, tha kreu i shtetit serb.

Vuçiç shtoi se pavarësisht se nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe e sheh atë si një komb mik. Beogradi që atëherë ka dhuruar më shumë ndihma humanitare për Kievin sesa shtetet e tjera të Ballkanit së bashku, pohoi ai.

Kreu francez, ndërkohë, e quajti hapin e Beogradit drejt Francës një ndryshim strategjik.

“Ne shohim kaq shumë njerëz që kritikojnë partneritetin e Serbisë me Kinën ose Rusinë, dhe tani ajo ka një partneritet me Francën,” tha Macron. Ai shtoi se respekton sovranitetin e Beogradit dhe partneritetet ndërkombëtare, “por kjo është një hapje, një ndryshim strategjik”.

Në fillim të këtij muaji, Nenad Popoviçh, ministri i ngarkuar për Bashkëpunimin Ekonomik Ndërkombëtar të Beogradit, tha se Serbia po ndjek një politikë të jashtme shumëvektorëshe.

Beogradi synon të zhvillojë bashkëpunimin me Evropën, Azinë dhe botën islame, vuri në dukje ai, duke shtuar se pranimi në BE është një përparësi kryesore për vendin e tij, pasi ai është i rrethuar ose nga anëtarët e bllokut ose nga shtetet kandidate. Megjithatë, parakushti i Brukselit që Serbia të vendosë sanksione dhe të ndërpresë lidhjet me Rusinë është “krejtësisht i papranueshëm”, theksoi ministri.