Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se i është konfirmuar se Serba po planifikon të zhvendosë serbët e Kosovës në Sanxhak.
Zyra e shtypit e kryeministrit e bëri deklaratën pas takimit me presidenten e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, politikanin serb, Nenad Çanak dhe drejtorin e Qendrës për Dialog Humanitar, Mark Baskin. Sipas njoftimit, serbëve po iu ndërtohen shtëpi dhe banesa ndërsa Kurti kishte kërkuar përpjekje për parandalimin e kësaj.
“Gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Ata apeluan te kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë. Kryeministri Kurti ritheksoi rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht përfshirjen e komunitetit serb në të gjitha aspektet e ekonomisë dhe shoqërisë. Më tej, kryeministri i njoftoi mysafirët e tij për të drejtat që gëzojnë komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, si dhe për përpjekjet që Qeveria po bën për rritjen e mundësive për këto komunitete në shumë fusha si arsimi, punësimi dhe siguria e tyre”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kurtit.