Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në fabrikën e plastikës në Elbasan, shpallet në kërkim administratori i kompanisë


Policia ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë së prodhimit të plastikës në të cilën ra zjarri ditën e djeshme në zonën e ish-Metalurgjikut në Elbasan.

“Komisariati i Policisë Elbasan referoi materialet në Prokurori dhe shpalli në kërkim shtetasin K. B., 54 vjeç, me detyrë administrator në një kompani për prodhimin e plastikës, pasi në fabrikën plastike, në fshatin Bradashesh, ka rënë zjarr dhe si pasojë e tymit të çliruar u shkaktua ndotje e ajrit”-njofton policia.

Flakët që dyshohet të jenë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, përfshinë tuba dhe arka plastike që ndodheshin në pjesën e jashtme të fabrikës duke rrezkuar dhe fabrikat që ndodheshin ngjitur në zonën e ish Metalurgjikut.

Për të shuar zjarrin që fatmirësisht nuk la pas të lënduar, u desh ndërhyrja e 10 mjeteve zjarrfikëse dhe rreth 40 efektivëve, jo vetëm nga Elbasani por edhe nga Tirana.

Për më shumë se një 1 orë zjarrfikëset luftuan me flakët dhe arritën ta vinin nën kontroll, ndërsa shtëllungat e mëdha të tymit të favorizuara dhe nga era mbuluan të gjithë qytetin.