Papa Françesku ka përsëritur komentet e tij polemizuese se në disa vende njerëzit preferojnë të kenë kafshë shtëpiake nëvend të fëmijëve, një mesazh që ka gjetur jehonën e shumë konservatorëve në mbarë botën.
Ideja ka rihyrë në dialogun politik amerikan pas një videoje të rishfaqur të kandidatit republikan për zëvendëspresident JD Vance që kritikon disa demokrate të shquara si “zonjat mace pa fëmijë”.
Vance, i cili u konvertua në katolicizëm në vitin 2019 dhe ka shkruar për rrugëtimin e tij për t’u bashkuar me Kishën Katolike, dërgoi gjithashtu një sërë emailesh që i quanin drejtuesit demokratë “sociopatë pa fëmijë”, të cilët “nuk kanë një interes të drejtpërdrejtë në këtë vend”.
Papa Françesku, 87 vjeç, i cili ndodhet në Indonezi, vendi më i populluar mysliman në botë, i bëri komentet e tij si pjesë e një turneu 12-ditor në Azinë Juglindore dhe Paqësor. Ai tha: “Ti je një shembull për të gjithë, për të gjitha vendet ku ndoshta, dhe kjo mund të duket qesharake, ka familje që preferojnë të kenë një mace ose një qen të vogël në vend të një fëmije.“
Presidenti Joko “Jokowi” Widodo qeshi me vërejtjen e Françeskut duke u kthyer nga ai dhe duke i thënë, “është e vërtetë, apo jo?”
Françesku në të kaluarën ka kritikuar çiftet që zgjedhin të kenë kafshë shtëpiake sesa fëmijë. Ai është ankuar për normat e ulëta të lindjeve në Evropë, veçanërisht në Itali, dhe ka mbështetur planet e qeverisë së udhëhequr nga Giorgia Meloni për të ndryshuar trendin.