Vendosni fjalën kyçe....

PS mbledh nesër Asamblenë Kombëtare në Durrës, votohet Kryesia e re dhe Sekretariati


Partia Socialiste do të mbledhë nesër në qytetin e Durrësit Asamblenë Kombëtare, e cila do të nisë në orën 11:00. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ka zbardhur axhendën e mbledhjes që do të hapet me fjalën e kryesocialistit Edi Rama.

Gjatë kësaj mbledhjeje do të zhvillohet votimi për organet e reja drejtuese të PS-së, përfshirë Kryesinë dhe Sekretariatin. Asambleja e re e PS-së, e zgjedhur nga Kongresi i 28 korrikut të këtij viti, përbëhet nga rreth 350 anëtarë, ku 156 prej tyre janë zgjedhur nga Kongresi, ndërsa pjesa tjetër janë emëruar automatikisht për shkak të funksioneve të tyre drejtuese.

Në prag të vitit zgjedhor, kjo mbledhje është një hap i rëndësishëm për përgatitjen e fushatës zgjedhore të PS-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Asambleja do të ketë një rol kyç në përzgjedhjen e listës së kandidatëve të PS-së për deputetë.

Një javë më parë, kryeministri Rama mbajti një mbledhje të kabinetit të ministrave në rezidencën qeveritare në Dajt, përgatitje kjo për sesionin e ri parlamentar. Asambleja e Durrësit do të vijojë këtë ritëm për të ndihmuar në formësimin e strategjisë dhe listës së kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme.