Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 20,000 të vdekur në Luftën Civile në Sudan, shefi i OBSH-së


Më shumë se 20,000 njerëz janë vrarë në konfliktin e vazhdueshëm në Sudan midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) që nga prilli 2023, tha të dielën drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Duke folur në një konferencë shtypi në Port Sudan gjatë një vizite dyditore në vend, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se 10 milionë njerëz të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, përveç dy milionë refugjatëve në vendet fqinje.

“Shkalla e emergjencës është tronditëse, ashtu si edhe masat e pamjaftueshme që po ndërmerren për të kufizuar konfliktin dhe për t’iu përgjigjur vuajtjeve që ai po shkakton,” tha ai.

Ai tha se pothuajse gjysma e popullsisë 25 milionëshe të Sudanit ka nevojë për ndërhyrje urgjente ndërsa 70% e sektorit shëndetësor të vendit nuk është më funksional.

Shefi i OBSH-së i bëri thirrje “botës që të zgjohet dhe të ndihmojë Sudanin të dalë nga makthi që po përjeton”.

Të shtunën, Ghebreyesus përsëriti angazhimin e OBSH-së për të adresuar çështjet e ngutshme humanitare dhe shëndetësore në Sudan, duke përfshirë pasigurinë, zhvendosjen masive, përmbytjet, urinë dhe shpërthimet e sëmundjeve.