Gjykata më e lartë e BE-së ka urdhëruar gjigantin amerikan të teknologjisë Apple t’i paguajë Irlandës 13 miliardë euro taksa të prapambetura, si pjesë e goditjes së bllokut ndaj marrëveshjeve speciale të dakordësuara mes kompanive ndërkombëtare dhe qeverive.
Gjykata e Drejtësisë e BE-së (GJED) publikoi vendimin në një deklaratë të martën. Komisioni Evropian fillimisht lëshoi urdhrin në vitin 2016, duke thënë se Apple kishte përfituar për më shumë se dy dekada nga dy vendime tatimore irlandeze që ulën artificialisht barrën e saj tatimore. Normat e ulëta të taksave të vendit e ndihmuan atë të tërhiqte kompanitë e Big Tech për të ngritur selitë e tyre evropiane.
Vendimi u anulua nga gjykata e dytë më e lartë e BE-së në vitin 2020, pas apelimeve nga Irlanda dhe Apple. Vitin e kaluar, megjithatë, një prokuror i GJED-së tha se gjykata e BE-së kishte bërë gabime ligjore kur vendosi në favor të gjigantit të teknologjisë dhe rekomandoi një rishikim të çështjes.
“Gjykata e Drejtësisë jep vendimin përfundimtar për këtë çështje dhe konfirmon vendimin e Komisionit Evropian të vitit 2016: Irlanda i dha Apple ndihmë të paligjshme të cilën Irlanda i kërkohet ta rikuperojë”, thanë gjyqtarët e GJED-së, cituar nga Reuters.
Apple është shprehur e zhgënjyer me vendimin.
“Komisioni Evropian po përpiqet të ndryshojë në mënyrë retroaktive rregullat dhe të injorojë se, siç kërkohet nga ligji ndërkombëtar i taksave, të ardhurat tona tashmë i nënshtrohen taksave në SHBA,” citoi agjencia në deklaratën e kompanisë.
BE-ja ka kërkuar të trajtojë çështjet e paraqitura nga kompanitë shumëkombëshe të teknologjisë kryesisht amerikane, nga mbrojtja e të dhënave te taksat dhe ligjet antitrust.
Google humbi një apel të veçantë të martën kundër një gjobe prej 2.4 miliardë eurosh të BE-së për favorizimin e shërbimeve të veta.
Në mars, Apple u godit nga një gjobë antitrust prej 1.8 miliardë eurosh për abuzim me pozitën e saj mbizotëruese në tregun e transmetimit të muzikës.
Brukseli miratoi gjithashtu Aktin e Tregjeve Dixhitale të BE-së vitin e kaluar, i cili ka detyruar kompanitë, përfshirë Apple, Alphabet dhe META, të ndryshojnë disa nga praktikat e tyre në bllok.