Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan thirrje Rusisë të kthejë Krimenë te Ukraina


Presidenti i Turqisë, Tayip Erdogan ka bërë një deklaratë shumë të fortë në favor të Ukrainës, që me shumë mundësi do të ndikojë dhe në marrëdhëniet që ai dhe vendi i tij ka me Rusinë.

Në një video-mesazh drejtuar Samitit të Liderëve të Platformës së Krimesë, lideri turk i bëri thirrje Rusisë që t’ia kthejë Krimenë Ukrainës, pasi aneksimi i saj vetëm se e ka përkeqësuar gjendjen e banorëve të rajonit.

Erdogan shtoi mes të tjerash, raporton A2, se Turqia e ka mbështetur gjithnjë integritetin territorial të Ukrainës, teksa kërkesën e tij e konsideroi si të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare.

“Mbështetja jonë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës është e palëkundur. Kthimi i Krimesë në Ukrainë është një kërkesë e ligjit ndërkombëtar”, tha Erdogan.

Ai theksoi qëndrimin e Turqisë ndaj Krimesë, duke theksuar se kthimi i saj Ukrainës përputhet me standardet ligjore ndërkombëtare.

Erdogan shprehu gjithashtu besim në veprime të mëtejshme për të mbështetur turqit tatarë të Krimesë, duke thënë: “Unë besoj se do të vazhdohet të ndërmerren hapa shtesë për të forcuar të drejtat e turqve tatarë të Krimesë në periudhën e ardhshme”.

Në përfundim të fjalimit të tij, Erdogan përcolli aspiratat më të gjera të Ankarasë për zgjidhjen e konfliktit, duke theksuar: “Dëshira jonë e sinqertë është që lufta të përfundojë me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme bazuar në integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.

Forcat ruse hynë në Gadishullin e Krimesë në shkurt 2014, me presidentin rus Vladimir Putin që e ndau zyrtarisht rajonin në dy subjekte të veçanta federale të Federatës Ruse një muaj më vonë.

Që atëherë, tatarët e Krimesë kanë vazhduar luftën e tyre për integritetin territorial të Ukrainës kundër pushtimit rus.

Tatarët etnikë të Krimesë janë përballur me persekutim që nga marrja e gadishullit nga Rusia në vitin 2014, një situatë që Turqia e ka dënuar.

Turqia dhe SHBA-ja, si dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e shohin aneksimin si të paligjshëm.