Vendosni fjalën kyçe....

Alberto Fujimori i Perusë, kreu polemizues i dinastisë politike ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare


Ish-presidenti peruan Alberto Fujimori, i cili drejtoi rritjen ekonomike gjatë viteve 1990, por më vonë u burgos për shkelje të të drejtave të njeriut pas një luftë e përgjakshme kundër rebelëve maoistë u nda nga jeta të mërkurën në moshën 86-vjeçare.

Kolegët e afërt e vizituan atë më herët gjatë ditës, duke raportuar se ai ishte në një gjendje kritike.

“Pas një beteje të gjatë me kancerin, babai ynë sapo u largua për të takuar Zotin”, shkroi vajza e tij Keiko Fujimori në një mesazh në X.

Fujimori, djali i emigrantëve japonezë, ishte kancelari pak i njohur i një universiteti bujqësor kur u zgjodh në detyrë në vitin 1990. Ai u shfaq shpejt si një politikan dinak, stili praktik i të cilit dha rezultate edhe pse zemëroi kritikët për përqendrimin e pushtetit.

Ai zhduku hiperinflacionin që kishte lënë pa punë miliona peruanë, privatizoi dhjetëra kompani shtetërore dhe uli tarifat tregtare, duke vendosur themelet që Peruja të bëhej asokohe një nga ekonomitë më të qëndrueshme të Amerikës Latine.

Nën mbikëqyrjen e tij, kreu i frikshëm i lëvizjes maoiste, Abimael Guzman, u kap, duke i dhënë një goditje vendimtare një lëvizjeje që në vitet 1980 dukej afër rrëzimit të shtetit peruan. Guzman vdiq në burg në shtator 2021.

Por shumë peruan e panë Fujimorin si një autokrat pasi ai përdori tanke ushtarake për të mbyllur Kongresin në vitin 1992, duke rihartuar Kushtetutën sipas dëshirës së tij për të nxitur reformat e tregut të lirë dhe ligje të ashpra kundër terrorizmit.

Një mori skandalesh korrupsioni gjatë administratës së tij 10-vjeçare e kthyen gjithashtu opinionin publik kundër tij.

Menjëherë pasi ai fitoi zgjedhjet e treta në vitin 2000 – duke amenduar Kushtetutën për të rikandiduar – u shfaqën video të këshilltarit të tij të lartë dhe shefit të spiunazhit Vladimiro Montesinos duke dhënë para për të korruptuar politikanët. Fujimori iku në mërgim në Japoni.

Ai dha dorëheqjen përmes faksit nga Tokio dhe më pas bëri fushatë të pasuksesshme për një vend senatori në Japoni.

Montesinos më vonë u kap në Venezuelë dhe u burgos pasi iu kapën qindra video që ai regjistroi duke u dhënë ryshfet politikanëve dhe drejtuesve të biznesit dhe medias.

Rastet kundër Fujimorit u shtuan, duke përfshirë akuzat se ai kishte urdhëruar përdorimin e skuadrave ekezekutuese kundër militantëve maoistë.

Fujimori ishte i sigurt në Japoni – ai ishte një shtetas i dyfishtë dhe Japonia nuk i ekstradon qytetarët e saj. Në vitin 2005 ai vendosi të kthehej në Peru, me sa duket me shpresën e faljes dhe një rikthimi në politikë.

Në vend të kësaj, ai u arrestua gjatë një qëndrimi në Kili, u ekstradua në Peru në vitin 2007 dhe në vitin 2009 u dënua me 25 vjet burg.