Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Izraelit, përfundon vizitën në Shqipëri me një homazh në Memorialin e Holokaustit


Presidenti i Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog, përfundoi vizitën e tij të parë në Shqipëri me një ceremoni nderimi në Memorialin e Holokaustit në Parkun e Liqenit të Tiranës. Herzog u shoqërua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi rëndësinë e përkujtimeve për Holokaustin për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla tragjike.

Veliaj nënvizoi se përkujtojmë shfarosjen e 6 milionë hebrenjve dhe theksoi nevojën për të mësuar nga gabimet e së kaluarës për të mbrojtur shoqërinë nga përçarjet dhe ekstremizmi. Ai bëri një paralelizëm me kancerin, duke theksuar rëndësinë e parandalimit dhe mbikëqyrjes të rregullt për të shmangur rrezikun e përhapjes së urrejtjes dhe dhunës.

“Sot përkujtojmë një nga ngjarjet më tragjike të historisë sonë njerëzore, shfarosjen e 6 milionë hebrenjve. Gabimet e së shkuarës nuk duhen përsëritur.

‘Ata që nuk e kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë’, – ka shkruar, George Santayana.

Pavarësisht nëse je kryetar bashkie, president, ambasador, madje edhe tregtar i thjeshtë… duhet të kuptojmë se ato që themi sot, ndoshta nuk shkaktojnë vërtet përçarje apo përplasje fizike të atëçastshme, por në afatgjatë, e helmojnë shoqërinë.

Është si kanceri që zhvillohet dalëngadalë, pa u ndier, qelizë pas qelize, derisa vjen një moment që mund të jetë tepër vonë, nëse nuk bën kontrollet e rregullta për ta identifikuar dhe marrë masat e duhura më parë.

Prandaj, është shumë e rëndësishme të mos i përsërisim gabimet e së shkuarës, por të mësojmë prej tyre”, tha Veliaj.