Kandidati republikan për president në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump deklaroi se nuk do të ketë një debat tjetër me rivalen e tij Kamala Harris përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ish-presidenti deklaroi se sondazhet e treguan qartë se kush ishte fituesi i përballjes mes tyre dhe nuk të harroi të sulmonte administratën Biden dhe zëvendësen e tij për “të këqijat” që i kanë sjellë SHBA dhe amerikanëve.
“Kur një fitues humbet një luftë, fjalët e para që dalin nga goja e tij janë: “Dua një përballje tjetër”. Sondazhet tregojnë qartë se unë fitova debatin kundër shoqes Kamala Harris, kandidate e së majtës radikale e demokratëve dhe ajo menjëherë bëri thirrje për një debat të dytë. Ajo dhe Joe kanë shkatërruar vendin tonë, me miliona kriminelë dhe njerëz me probleme mendore “derdhen” në SHBA, krejtësisht të pakontrolluar, inflacioni po falimenton klasën tonë të mesme”, shkruan Trump mes të tjerash.
Rreth 67.1 milionë njerëz ndoqën debatin presidencial midis demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump, një rritje e theksuar e shikueshmërisë nga debati i qershorit që përfundimisht çoi në tërheqjen nga gara të Presidentit Joe Biden.
Ish- presidenti dhe mbështetësit e tij kanë shprehur kritika të ashpra ndaj dy moderatorëve të debatit, David Muir dhe Linsey Davis. Dy gazetarët e rrjetit ABC korrigjuan katër herë deklaratat e zotit Trump.