Vendosni fjalën kyçe....

Deputetët e PS-së shpërfillin për herë të tretë Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës


Deputetët e PS-së për herë të tretë kanë shpërfillur Gjykatën Kushtetuese për mandatin e koleges Olta Xhaçka, duke mos e dërguar atë për shqyrtim siç kishte vendosur gjykata më e lartë në vend.

Në seancën maratonë në Kuvend, 65 deputetë socialistë abstenuan, 9 vituan kundër, ndërsa 25 deputetë të opozitës votuan pro.

Opozita e cilësoi turp votën e socialistëve duke u rënë tavolinave menjëherë pas votës, duke e quajtur turp moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Mandati i Olta Xhaçkës u çua në Gjykatën Kushtetuese nga PD-ja që kërkon heqjen e mandatit pasi e akuzon Xhaçkën se ka përfituar tokë publike në jug të vendit, ku bashkëshorti i saj, ish-deputeti i PS-së Artan Gaçi ka përfituar tokë për ndërtimin e një resorti turistik.

Në raportin e saj PD-ja i kërkoi Kuvendit zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ndërsa socialistët në raportin e tyre theksonin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim po do ishin deputetët që do vendosnin, gjë që e bënë në votimin e mbrëmshëm duke mos e çuar atë në gjykatën më të lartë të vendit.

Më herët kreu i grupit parlamentar Peleshi dhe mbrëmë kryetarja e Kuvendit Spiropali thanë se do kërkojnë opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e Xhaçkës.

Gjykata Kushtetuese në një vendim që mban datën 10 korrik 2024 vendosi se mandati i Olta Xhaçkës duhej dërguar aty për shqyrtim.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në 29 mars 2024, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj tha se moszbatimi i vendimit të institucionit që drejton nga deputetët socialistë lidhur me mandatin e deputetes Xhaçka është situatë krejt e pazakontë dhe e paimagjinueshme në njështet demokratik.

“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Duke patur formën e ligjit dhe duke mos patur asnjë ekuivok për të mos u zbatuar, gjykata Kushtetuese nuk ka mekanizma për të kontrolluar zbatueshmërinë e vendimeve. Është vërtet një situatë e pazakontë dhe e pamundur që të ndodhë në një shtet demokratik. Unë e kam përmendur dhe herë të tjera, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën, në fakt, zbatim të vetë Kushtetutës. Kështu që fjalët janë të tepërta për të dhënë një mesazh më tepër përtej kësaj që unë sapo thashë. Çdo vendim duhet të zbatohet. Nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër dhe arsyeja pse nuk ka një mekanizëm tjetër është sepse është e pamundur të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kështu që nuk mbetet shumë për të interpretuar në këtë moment.” – tha asokohe ajo.