Vendosni fjalën kyçe....

Nuk njoftuan për kanabisin e mbjellë në dy fshatra, policia procedon dy specialistë pyjesh dhe dy kryepleq në Mallakastër


Efektivët e komisariatit të Policisë Mallakastër zhvilluan një aksion antikanabis, pas një hetimi ku u përfshinë edhe përgjime me metoda aktive dhe speciale, duke goditur një tjetër rast kultivimi të bimëve narkotike dhe marrë nën akuzë deri tani 4 zyrtarë vendorë.

Policia e Fierit njoftoi se nën hetim janë 2 specialistë të Pyjeve dhe 2 kryepleq të fshatrave Lofkënd dhe Çyçen, ku u zbuluan parcela të kultivuara me bimë narkotike.

Të dyshuarit janë B. H., 63 vjeç, P. I., 61 vjeç, me detyrë specialistë pyjesh dhe H. S., 73 vjeç, kryeplaku i fshatit Lofkënd dhe G. S., 59 vjeç, kryeplaku i fshatit Çyçen. Ndaj tyre është ngritur akuza e “shpërdorimit të detyrës”.

Hetimet erdhën pasi nga kontrollet e territorit janë konstatuar në koordinata të ndryshme, në fshatrat Lofkënd dhe Çyçen, bimë të mbjella të lëndës narkotike kanabis sativa, e cila një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua.

“Këta shtetas nuk kanë dhënë informacion në lidhje me koordinatat e mbjella me bimën narkotike”, tha policia.