Vendosni fjalën kyçe....

Basha-Berishës: I kam kërkuar të ikë me dinjitet, që të mos ‘vdesë’ politikisht me turp


Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka reaguar ndaj sulmeve të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie që nga 30 dhjetori 2024 dhe është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e “korrupsionit pasiv” në lidhje me dosjen “Partizani”. Basha e akuzon Berishën se për interesat e tij personale ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po minon opozitën duke i shërbyer kryeministrit Edi Rama.

Në një postim në Facebook, Basha shpreh keqardhje për “përçartjet” e Berishës dhe thotë se tre vite më parë i kishte kërkuar të largohej me dinjitet, për të mos “vdekur” politikisht me turp. Basha thekson se Shqipëria meriton më shumë sesa, sipas tij, kooperativa politike Rama-Berisha, që punon vetëm për interesat e veta dhe kundër interesave të vendit.

Sipas Bashës, Berisha ka përdorur PD-në si mburojë kundër drejtësisë dhe aleatëve ndërkombëtarë, ndërkohë që ka bashkëpunuar me Edi Ramën për të mbyllur listat zgjedhore dhe për të amnistuar të korruptuarit.

Reagimi i plotë i Bashës:

“Trishtim që pas tre vjetësh mashtrime e dështime të vazhdosh të dëgjosh përçartjet e Sali Berishës. Ajo që i kam kërkuar tre vite më parë është të largohet me dinjitet dhe të mos “vdesë” politikisht me turp.

Ai qartazi ka zgjedhur këtë të dytën. Por mua nuk më shqetëson më halli personal i Sali Berishës, por fakti se për hallin e tij ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po minon opozitën duke i shërbyer Edi Ramës.

Siç e kam thënë tre vjet më parë, koha është ilaçi më i mirë dhe mbart të vërtetë më të madhe. Sot nuk ka shqiptar që nuk e di dhe nuk e pa se Sali Berisha e donte PD për ta shndërruar në mburojë të tij përballë drejtësisë, SHBA dhe Britanisë së Madhe.

Asnjë pikë dinjiteti nuk i ka mbetur atij që i ka shitur zgjedhjet Edi Ramës në këmbim të vulës, atij që i bashkoi votat me Edi Ramën për të amnistuar të korruptuarit e Edi Ramës ndërkohë që mban në ndjekje penale protestuesit demokratë, atij që i bashkoi votat me  Edi Ramën për të mbyllur listat, duke i dhënë më shumë pushtet Edi Ramës.

Shqipëria meriton më shumë se kooperativa e bashkuar Rama-Berisha, që punojnë vetëm për interesat e tyre, kundër interesave të Shqipërisë”.