Vendosni fjalën kyçe....

Hetimi për sterilizimin/ Dëshmon shefi i kardiologjisë në QSUT: Mortaliteti i njerëzve me infarkt është ulur në 4.5%


Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi, vijoi edhe sot (16 shtator 2024) marrjen në pyetje të mjekëve të spitaleve lidhur me koncesionarin e sterilizimit dhe Check Up.

I vendosur në bankën e dëshmitarit nën betim, ishte Artan Goda, drejtues i shërbimit të kardiologjisë në QSUT, i cili u shpreh se, qëllimi i check up nuk konsiston vetëm të ulet mortaliteti, por të kapësh në kohë sëmundjet dhe të kursesh jetë apo invaliditete dhe të kursesh para.

Në mortalitet apo sëmundshmëri nuk ndërhyn vetëm ky faktor, pasi është zgjatur jeta e njerëzve që vdisnin me parë nga infarkti sepse kemi organizuar urgjencën 24 orëshe që i shërben të sëmurit në 24 orë të ditës në 7 ditë të javës dhe në 365 ditë të vitit. Nga 15% që ka qenë mortaliteti i njerëzve me infarkt që mbërrijnë në spital është ulur në 4.5%”, tha ai.

Pyetjes së bërë nga deputetët e opozitës nëse ka na nevojë të rishikohen fashat për Check Up, Goda tha se nuk sugjeron uljen e fashës së grupmoshës.

“Unë them se fasha nuk është e ngushtë nëse do zgjerohet duhet të zgjerohet poshtë, pasi parandalimi nuk bëhet në moshën 70- vjeç, mund të ulë faktorët e rrezikut janë edhe të lindur. Nëse ne arrijmë ta zbulojmë atë gjë që në fëmijëri ne do ta kurojmë atë dhe do të kursejmë jetë të humbura. Ajo që do të sugjeroja do të ishte jo zgjatja shumë e fashës, por shtimi i elementeve që duhet të testojmë për të kapur sa më shumë sëmundje. Se nuk është se kemi ndonjë paketë që është gjerë, paketa është e ngushtë”, tha Goda.

Goda tha se për kryerjen e shërbimit të Check Up ka një bashkëpunim mes sistemit publik shëndetësor dhe atij privat.

 “Edhe kështu si bëhet është mjeku i familjes që merr të dhëna se nuk janë vetëm analiza që bëhen është historia familjare dhe ai mjek i familjes është i sistemit publik. Pra kemi një përzierje midis dy sistemeve. Edhe shteti mund ta bënte, por nëse do vinte më lirë ashtu këtë nuk e di. Po kemi një bashkëpunim mes sistemit publik dhe atij privat”, tha ai.

Ndërsa, Agron Ylli, shef i shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT  u pyet lidhur me hartimin e një protokolli për vlerësimin e diabetiti në popullatë, për të cilën tha se hartimi i protokollit erdhi për shkak të numrit në rritje të personave të prekur nga diabeti në studimet e bëra më parë.

“Jemi thirrur nga Ministria e Shëndetësisë për të hartuar protokollin e një vlerësimi të diabetit në popullatën shqiptare. Ishte një vendimmarrje që ne si profesionistë e vlerësuam shumë për pjesën e diabetit, duke pasur parasysh që diabeti përpara 20 vitesh në një studim që kemi bërë doli 6.2% e popullatës dhe nga kjo doli që 5.3% e popullatës u diagnostikua me diabet nga projektet që bëmë.

Në këtë logjikë, kërkesa për të bërë një vlerësim të popullatës për diabetin ishte diçka që na përshtatej si profesionistë dhe e mbështetëm duke bërë kriteret për hartimin e një protokolli dhe kriteret për të lexuar këto të dhëna. Me këtë rast jemi thirrur në Ministrinë e Shëndetësisë ku kemi marrë pjesë në një aktivitet ku dhamë kriteret tona për diagnostikimin e popullatës në grupmoshën 45-65 vjeç“, tha ai.