Vendosni fjalën kyçe....

Mungesa e stafit dhe presioni i lartë sfidojnë Shërbimin Sekret në prag të zgjedhjeve të 2024-ës


Ndërsa zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 hyjnë në fazën e tyre përfundimtare, Shërbimi Sekret i SHBA-së po operon me rreth 400 punonjës më pak nga sa ka autorizuar Kongresi, tregojnë të dhënat e qeverisë.

Problemi nuk ka gjasa të zgjidhet përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, pasi agjencisë zakonisht i duhen më shumë se 200 ditë për të plotësuar pozicionet e hapura.

Që kur zëvendëspresidentja Kamala Harris mori postin si kandidate presidenciale demokrate në një garë të ngushtë kundër republikanit Trump, Shërbimit Sekret i është dashur të zgjerojë mbulimin e tij mbrojtës për një grup më të gjerë zyrtarësh.

Sipas intervistave me tre ish-agjentë të Shërbimit Sekret dhe ish-kreun e departamentit që e mbikëqyr atë, kjo ka vendosur një tendosje të paprecedentë mbi agjencinë.

“Ritmi, pritshmëritë dhe presioni nuk kanë qenë kurrë më të larta se sa janë tani”, tha Kenneth Valentine, një ish-agjent, në një intervistë telefonike.

Dëshira e Trump-it për të luajtur golf privatisht në një nga klubet e tij në Florida të dielën nënkuptonte gjithashtu se agjentët nuk kryen kontrollin rutinë në zonë që mund t’i kishte bërë ata të zbulonin të armatosurin e dyshuar para se Trump të afrohej.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Sekret, Ronald Rowe i cili u emerua në korrik, kur ish-udhëheqësi i agjencisë dha dorëheqjen pas sulmit të parë të Trump, thotë se agjentët e tij tashmë po punojnë nën nivele të larta stresi.

“Ne po i vendosim ata në pozita të vështira,” tha Rowe në një konferencë për shtyp të hënën.

Shërbimi Sekret punësoi 7,879 persona që nga shkurti, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme.

Kjo është pjesë e një plani që drejtori i mëparshëm i agjencisë, James Murray, paraqiti në Kongres në vitin 2022, kur tha se synonte të arrinte 8,305 staf brenda një viti dhe 10,000 deri në vitin 2027.

Megjithëse Kongresi rriti buxhetin e Shërbimit Sekret me 9% këtë vit për të përballuar zgjedhjet e 2024, agjencia nuk është në gjendje të plotësojë shpejt pozicionet. Natyra kërkuese e punës bën që vetëm 2% e aplikantëve të pranohen, tha Rowe në një seancë dëgjimore në Kongres në korrik.

Agjencia gjithashtu ka pasur vështirësi vitet e fundit për të mbajtur agjentët, të cilët shpesh tërhiqen nga punët më fitimprurëse në sektorin privat, shtoi ai.

Kjo mungesë e bën më të vështirë për agjentët të qëndrojnë në punë, pasi ata janë të detyruar të kalojnë me shpejtësi nga një detyrë në tjetrën.

“Shërbimi Sekret nuk ka burime, nuk ka trupa,” tha ish-agjenti Bill Gage në një intervistë./REUTERS