Dhjetëra miliona adoleshentë me llogari në Instagram së shpejti mund t’i gjejnë profilet e tyre publike të bëra private.
Instagram po rishikon mënyrën se si funksionon për adoleshentët dhe të miturit, duke premtuar më shumë mbrojtje për ta, kontrolle dhe siguri të shtuar për prindërit.
Përdoruesit e këtyre llogarive mund të marrin mesazhe dhe të etiketohen vetëm nga llogaritë që ata ndjekin ose me të cilat janë tashmë të lidhur.
Aplikacioni do të kufizojë gjithashtu përmbajtjen e ndjeshme për të miturit, të tilla si lakuriqësia ose diskutimet për vetëdëmtimin, dhe do të parandalojë mesazhet e drejtpërdrejta nga njerëzit që ata nuk i ndjekin – kufizime ekzistuese që kompania kishte shpallur më parë.
Aplikacioni po prezanton gjithashtu një veçori për t’u mundësuar adoleshentëve të zgjedhin tema të përmbajtjes që do të donin të shihnin më shumë, të tilla si artet ose sportet.Instagram tha se mbajtësit e llogarive që janë 16 ose 17 vjeç do të jenë në gjendje t’i bëjnë llogaritë e tyre publike dhe të ndryshojnë vetë cilësimet e tjera të paracaktuara. Por adoleshentët nën 16 vjeç do të kenë nevojë për lejen e prindit për të ndryshuar parazgjedhjen e privatësisë, mënyrën e gjumit dhe kufizime të tjera.
Prindërit do të kenë gjithashtu një sërë opsionesh për të monitoruar me kë po ndërveprojnë fëmijët e tyre dhe për të kufizuar përdorimin e aplikacionit.
Disa studime kanë lidhur përdorimin e mediave sociale me nivelet e të larta të depresionit, ankthit dhe vështirësive në të mësuar, sidomos te përdoruesit e rinj.
Platformat kryesore si Facebook, Instagram dhe TikTok lejojnë regjistrimin e përdoruesve që janë 13 vjeç e lart.
Lëvizja e Metës vjen tre vjet pasi kompania hoqi një version të aplikacionit Instagram të dedikuar për adoleshentët, pas kërkesave nga ligjvënësit për ta hequr atë, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Në korrik, Senati i SHBA-së avancoi dy projektligje të sigurisë në internet: “Aktin e Sigurisë së Fëmijëve në Internet” dhe “Aktin e Mbrojtjes së Privatësisë në Internet për Fëmijët dhe Adoleshentët”, të cilat do të detyronin kompanitë e mediave sociale të merrnin përgjegjësi për ndikimin e platformave të tyre mbi fëmijët dhe adoleshentët.
Si pjesë e përditësimit, përdoruesit e Instagramit nën 18 vjeç do të njoftohen të mbyllin aplikacionin pas 60 minutash çdo ditë. Llogaritë gjithashtu do të kenë një modalitet të paracaktuar gjumi që do të hesht njoftimet gjatë natës.
Meta njoftoi se do të vendosë përdoruesit e identifikuar në llogaritë e adoleshentëve brenda 60 ditëve në SHBA, MB, Kanada dhe Australi, dhe në Bashkimin Evropian më vonë gjatë këtij viti.
Disa adoleshentë mund të përpiqen të anashkalojnë ndryshimet e privatësisë duke krijuar llogari të reja në Instagram me data e lindjeje jo të vërteta. Aplikacioni tha se do t’u kërkonte atyre adoleshentë të verifikonin moshën e tyre në mënyra të ndryshme, si për shembull duke paraqitur një video selfie për analizën e vlerësimit të moshës.