Vendosni fjalën kyçe....

Kimikatet toksike të përdorura në përgatitjen e ushqimit përfundojnë në trupin e njeriut – Studimi


Më shumë se 3600 kimikate që rrjedhin në ushqim gjatë prodhimit, përpunimit, paketimit dhe ruajtjes së furnizimit me ushqim në botë përfundojnë në trupin e njeriut dhe disa janë të lidhura me dëme serioze shëndetësore, zbuloi një studim i ri.

“Ky është një numër tronditës dhe tregon se materialet në kontakt me ushqimin janë një burim i rëndësishëm i kimikateve te njerëzit,” tha Martin Wagner, një profesor i biologjisë në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë në Trondheim, në një email.

“Studimi është i pari që lidh sistematikisht kimikatet që ne përdorim në materiale për të paketuar dhe përpunuar ushqime me ekspozimin e njeriut”, tha Wagner, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.

Sipas studimit të publikuar të hënën në Journal of Exposure Science & Environmental Epidemiology, shtatëdhjetë e nëntë nga kimikatet e përpunimit të ushqimit që gjenden në trup dihet se shkaktojnë kancer, mutacione gjenetike, sëmundje endokrine dhe sistemit të riprodhimit dhe shqetësime të tjera shëndetësore.

Shumë kimikate të tjera mund të jenë të dëmshme në mënyra që shkenca ende nuk i njeh, tha autorja e studimit Jane Muncke, drejtoreshë menaxhuese dhe shefe shkencore në Forumin e Paketimit të Ushqimit, një fondacion jofitimprurës me bazë në Cyrih, Zvicër, që përqendrohet në komunikimin dhe kërkimin shkencor.

“Ne po matim jo vetëm kimikatet që dihej se përdoreshin në procesin e prodhimit të ushqimit, por edhe të gjitha mbetjet, nënproduktet dhe papastërtitë që ne i quajmë lëndë të shtuara jo qëllimisht”, tha Muncke.

“Ato lëndë janë gjithmonë të pranishme në plastikë, në veshjet e kanaçeve dhe paketimeve, në bojërat e printimit etj. Ata mund të mos kenë një funksion teknik në përpunimin e ushqimit, por ata janë aty pavarësisht procesit dhe futen te njerëzit dhe ne i masim ato.”

Këshilli Amerikan i Kimisë, një shoqatë e industrisë, i tha CNN se anëtarët e tij janë të përkushtuar ndaj sigurisë ushqimore.

“Është thelbësore, megjithatë, kur vlerësohen rreziqet e mundshme të merret parasysh një kontekst më i gjerë, duke përfshirë kornizat rregullatore ekzistuese, provat shkencore, nivelet dhe shkallën aktuale të ekspozimit që mund të ekzistojnë”, tha një zëdhënës i këshillit përmes emailit.

“Çdo veprim i propozuar të cilit i mungon ky kontekst, veçanërisht kur shkakësia nuk është përcaktuar përfundimisht, është në kundërshtim me ligjet e SHBA-së për rregullatoren kimike të bazuar në rrisqet.”

Megjithatë, ndërsa materialet në kontakt me ushqimin mund të jenë në përputhje me rregulloret aktuale të qeverisë, studimi thekson se këto kimikate mund të mos jenë plotësisht të sigurta, tha Muncke.

“Ne nuk e dimë saktësisht se cila është sasia që është përdorur në paketimin e ushqimit ose në materiale të tjera në kontakt me ushqimin kundrejt sasisë që përdoret për kozmetikë, produkte të kujdesit personal, tekstile dhe kështu me radhë, apo jo? Do të doja ta kisha këtë informacion”, tha ajo.

“Mendoj se do ishte fantastike të bëhej një kërkesë rregullatore për kompanitë që të deklarojnë se sa dhe çfarë lloj kimikatesh po vendosin në shishen time të ushqimit ose ujit të plastikës.”

Kimikate toksike të mirëstudiuara që gjenden në ushqim

Një kimikat që studimi zbuloi si në ushqim ashtu edhe në trupin e njeriut është bisfenoli A, ose BPA, që ishte përdorur për të prodhuar shishe për fëmijë, gota dhe në kutitë e ushqimit për foshnjat derisa prindërit e frikësuar i braktisën këto produkte më shumë se një dekadë më parë.

BPA është një shkëputës endokrin që është lidhur me anomalitë e fetusit, peshën e ulët në lindje dhe çrregullimet e trurit dhe sjelljes tek foshnjat dhe fëmijët. Tek të rriturit, kimikati ka qenë i lidhur me zhvillimin e diabetit, sëmundjeve të zemrës, mosfunksionimit erektil, kancerit dhe një rrezik 49% më të lartë të vdekjes së hershme brenda 10 viteve.

Sipas Institutit Kombëtar të Shkencave të Shëndetit Mjedisor, bisfenoli A mund të rrjedhë në ushqim nga veshjet e ushqimeve të konservuara, enëve të tavolinës me polikarbonat, kutive të magazinimit të ushqimit dhe shisheve të ujit.

“Studimi tregon gjithashtu se materialet në kontakt me ushqimin mund të përmbajnë kimikate mutagjene që dëmtojnë ADN-në tonë, siç janë metalet e rënda”, tha Ëagner.

“Ka prova të forta që njerëzit janë të ekspozuar ndaj PFAS, të ashtuquajturat kimikate të përhershme, nga paketimet e ushqimit që janë shumë të qëndrueshme, bioakumulohen dhe shkaktojnë toksicitet të organeve.”

Substancat perfluoroalkil dhe polifluoroalkil, ose PFAS, janë të pranishme në gjakun e rreth 98% të amerikanëve, sipas Akademive Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë. Kimikatet që prishin hormonet janë aq shqetësuese sa në korrik 2022 Akademitë vendosën nivele “nanogrami” si shqetësuese dhe kërkuan testime të individëve me rrezik të lartë, duke përfshirë foshnjat dhe të rriturit e moshuar. (Një nanogram është e barabartë me 1 miliardën e një grami.)

Një tjetër grup kimik në paketimin e ushqimit që ka emigruar te njerëzit janë ftalatet, zbuloi hulumtimi. Ftalatet, të gjetura në shampo, grim, parfum dhe lodra për fëmijë, si dhe në kutitë e ushqimit, janë të lidhura me keqformime gjenitale dhe testikuj të pazbritur tek foshnjat djem dhe me ulje të numrit të spermës dhe niveleve të testosteronit tek meshkujt e rritur.

Studimet e mëparshme kanë lidhur gjithashtu ftalatet me obezitetin e fëmijëve, astmën, problemet kardiovaskulare, kancerin dhe vdekjen e parakohshme te njerëzit e moshës 55 deri në 64 vjeç.

Vetëm disa kimikate ushqimore gjurmohen te njerëzit

Në studimin e ri, studiuesit krahasuan 14,000 kimikate që dihet se bien në kontakt me ushqimin gjatë procesit të paketimit me bazat e të dhënave në mbarë botën që mbikëqyrin ekspozimin e njeriut ndaj toksinave kimike të mundshme. Të gjitha të dhënat e kërkimit janë ngarkuar në një bazë të dhënash të hapur për përdorim shkencor.

“Ne kemi, të themi, 60 vjet kërkime për rënien e kimikateve në ushqim nga pajisjet e përpunimit dhe paketimit të ushqimit. Është studiuar shumë gjerësisht,” tha Muncke.

“Dhe në të njëjtën kohë, ka studime gjithnjë e më të mira dhe të fuqishme që dalin mbi Bisphenol A, mbi ftalatet, mbi PFAS, retardantët e brominuar e kështu me radhë që lidhen me sëmundjet tek njerëzit.”

Ajo që mungonte në literaturë ishte një krahasim midis asaj që u gjet te njerëzit dhe kimikateve që dihet se emigrojnë gjatë përpunimit të ushqimit në ushqim. Për të lidhur pikat, Muncke dhe kolegët e saj shikuan bazat e të dhënave kombëtare dhe rajonale të biombikëqyrjes që gjurmojnë kimikatet në gjakun e njeriut, urinën, qumështin e gjirit, mostrat e indeve dhe bioshënues të tjerë.

Për studimin, studiuesit përdorën të dhëna nga Anketa Kombëtare e Ekzaminimit të Shëndetit dhe Ushqyerjes në SHBA, ose NHANES, e cila mbledh të dhëna vjetore për shëndetin dhe ushqimin e amerikanëve. Bazat e tjera të të dhënave përfshinin Anketën e Masave Shëndetësore Kanadeze, Biombikëqyrjen Njerëzore për Evropën, Anketën Kombëtare Koreane të Shëndetit Mjedisor dhe Biombikëqyrjen e Kalifornisë, një bazë të dhënash shtetërore.

Nga 14,000 kimikate që dihet se emigrojnë në ushqim gjatë përpunimit dhe paketimit, vetëm disa qindra maten te njerëzit nga këto programe, sipas studimit. Për shembull, vetëm 172 kimikate të zbuluara në materialet në kontakt me ushqimin mbikëqyren në Shtetet e Bashkuara nga Anketa Kombëtare e Ekzaminimit të Shëndetit dhe Ushqimit – 144 prej këtyre kimikateve janë zbuluar në disa popullata, tha Muncke.

“Duke pasur parasysh që ka dhjetëra mijëra kimikate në kontakt me ushqimin, programet e biombikëqyrjes nuk kanë kapacitetin për të testuar të gjitha kimikatet ndaj të cilave jemi të ekspozuar potencialisht”, tha Wagner.

“Kjo krijon paragjykime ndaj substancave të studiuara shumë mirë dhe lë një boshllëk të madh në njohuritë tona për të gjitha kimikatet e tjera që kemi potencialisht në trupin tonë.”

Sigurisht, të kesh një kimikat në trup nuk do të thotë domosdoshmërisht se kimikati është i dëmshëm, tha Melanie Benesh, nënkryetare e çështjeve qeveritare për Grupin e Punës Mjedisore, ose EWG, një organizatë konsumatore që mbikëqyr ekspozimin ndaj PFAS dhe kimikateve të tjera të rrezikshme.

“Por ju nuk supozohet të keni lindur me këtë kimikat brenda jush,” shtoi Benesh.

“Pyetja më e rëndësishme është a na duhen vërtet këto kimikate për të përpunuar ushqimin tonë? Kur ka kimikate në trupin tonë që ne e dimë se kanë potencialin të na shkaktojnë dëm, ne duhet të eliminojmë çdo rrugë ekspozimi që mundemi.”

“Përgjithësisht e njohur si e sigurt”

Që nga viti 2000, gati 99% e çdo kimikati të ri në kontakt me ushqimin u fut për përdorim nga industria ushqimore dhe kimike, jo nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së, sipas një analize të vitit 2022 nga EWG.

Në atë periudhë 22-vjeçare, prodhuesit e ushqimit kërkuan lejen e FDA-së për të futur një kimikat 10 herë, thuhet në analizë. Në vend të kësaj, “kompanitë kanë shfrytëzuar një boshllëk për substancat që ‘përgjithësisht njihen si të sigurta’ ose GRAS. Zbrazëtia i lejon prodhuesit e ushqimit – jo FDA-në – të vendosin se një substancë është e sigurt”, thuhet në raportin e EWG.

I ngritur nga një amendament në vitet 1950 në Aktin Federal të Ushqimit, Barnave dhe Kozmetikës të vitit 1938, GRAS synohej të aplikohej ngushtë për përbërësit e zakonshëm si sheqeri, uthulla dhe soda e bukës.

Zyra e Përgjegjësive në SHBA lëshoi ​​një raport në nëntor 2022 duke theksuar kufizimet e FDA-së në mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore të vendit, duke përfshirë mungesën e autoritetit ligjor të agjencisë mbi prodhuesit e ushqimit.

“Përveç kësaj, FDA nuk gjurmon datën e rishikimit të fundit para ose pas tregtimit për të gjitha substancat në kontakt me ushqimin në një mënyrë që lejon FDA-na të identifikojë lehtësisht substancat që mund të kërkojnë një rishikim të mëvonshëm sepse mund të jenë shfaqur informacione të reja sigurie,” GAO thuhet në raport.

Zëvendëskomisioneri i FDA-së për ushqimet njerëzore, Jim Jones, i tha nënkomitetit të Kongresit për Energjinë, Tregtinë për Shëndetin javën e kaluar se FDA-ja e ka bërë sigurinë kimike të ushqimit një prioritet kryesor.

“Megjithatë, ka gjithashtu boshllëqe të rëndësishme që duhet të adresohen ndërsa ne ndërmarrim punën për të forcuar aktivitetet tona të sigurisë kimike ushqimore,” tha ai.

“Qasja e gatshme në informacionin e sigurisë dhe të dhënat e ekspozimit të konsumatorëve për kimikatet që kanë nevojë për rishikim do na ndihmonte të kryenim vlerësime dhe rivlerësime më të shpejta dhe më të forta të sigurisë. Qasja në këto të dhëna do e lejonte FDA-në të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm rregullator në kohën e duhur për të mbrojtur konsumatorët dhe për të ndihmuar në sigurimin e sigurisë ushqimore.”

Për herë të parë, FDA-ja do mbajë një dëgjesë publik, të planifikuar për 25 shtator, për përmirësimin e vlerësimit të saj të kimikateve të gjetura në ushqim, duke përfshirë ushqimin dhe aditivët e ngjyrave, substancat në kontakt me ushqimin, ndotësit e mundshëm dhe pesticidet dhe përbërësit që konsiderohen përgjithësisht të njohur si të sigurt.

“Kjo është e paprecedentë,” tha Benesh i EWG.

“Kjo është hera e parë që FDA-ja po flet për ngritjen e një programi rigoroz rishikimi që vendos shëndetin e njeriut në radhë të parë, që vendos sigurinë kimike në vend të parë dhe që rikthen një pjesë të besimit që konsumatorët kanë humbur në agjenci.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani