Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen e ish-shoferit të Ministrisë së Brendshme dhe familjarëve të tij, që akuzohen për grup kriminal, kontrabandë mallrash, mos deklarim të ardhurash, pastrim parash dhe ushtrim pa licencë të aktiviteteve financiare.
Mësohet se GJKKO pranoi edhe kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar, ku në rast dënimi do të përfitonin zbritjen me 1/3-ës nga vendimi përfundimtar.
Në maj të vitit të kaluar, ish-shoferi Sokol Idrizaj, bashkëshortja e tij Elda Idrizaj, dhe dy vajzat e tyre, u vunë nën akuzë nga SPAK, pasi dyshohen si anëtarë të një grupi të organizuar kriminal. Në kuadër të këtij procedimi u hetuan në total dhe arrestuan 12 persona.
Ata dyshohen se kanë transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga shteti francez drejt Shqipërisë, ku janë shitur në mënyrë të fshehtë dhe kontrabandë përmes argjendarisë së shtetasit Vangjush Kashari, që ka dyqanin qendror në Tiranë.
Grupet kriminale sipas skemës së zbërthyer nga SPAK, bënin vjedhjet në biznese dhe banesa në zona të ndryshme të Francës, nga markat e shtrenjta, bizhutë e floririt, por edhe piktura, teksa më tej ua dorëzonin të dyshuarve të tjerë si korrierë, që i sillnin në vendin tonë.
Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724,386 euro për blerje të sendeve me vlerë, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, ndërsa shumat në kesh (cash), të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme, kapin vlerën e 2.1 milionë eurove dhe 35000 franga.
SPAK e kishte dërguar dosjen për gjykim që prej datës 11 Qershor të këtij viti. Kurse hetimet dhe operacioni u zhvilluan mbi një vit më parë, në muajin Qershor 2023. Por operacioni nisi në Francë dhe u finalizua më tej në vendin tonë.