Vendosni fjalën kyçe....

Shënohet 25-vjetori i themelimit dhe funksionimit të Komunës në Prizren


Në nder të 25-vjetorit të çlirimit të Prizrenit, Kuvendi i Komunës mbajti një seancë solemne të mërkurën.

Anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës lokal përkujtuan luftën e UÇK-së, sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve, si dhe mbështetjen nga aleatët.

Gjatë këtij takimi ceremonial, u vlerësuan arritjet e komunës gjatë këtij çerek shekulli.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Antigona Berisha-Bytyqi, shprehu mirënjohje për veprimtarët dhe zyrtarët që kontribuan në ndërtimin e institucioneve të lira të pushtetit lokal.

“Organizime sikurse ky i sotmi na kthejnë në periudhën e fillesave të ndërtimit të institucioneve përkatësisht fillimin e punës së Komunës së Prizrenit dhe na bën të vlerësojmë të arriturat e deritanishme, të cilat na japin shtysë edhe vullnet që të gjithë të punojmë sa më shumë për zhvillimin e mëtejshëm”, ka thënë ajo. 

Kryetari i parë i Komunës së Prizrenit në Kosovën e lirë, Kadri Kryeziu, ka theksuar se konsolidimi i kësaj komune ka nisur me 15 qershor 1999, në një situatë emergjente me shumë sfida. 

“Vendimi i parë i qeverisë së atëhershme të përkohshme ka qenë ringritja e ndërtesës së Lidhjes së Prizrenit. Kemi filluar me 4 nëntor e me 28 nëntor e kemi ngritur flamurin kuq e zi”, ka thënë ai, për të listuar më pas edhe vendimet tjera të kohës. 

Në 25 vjetorin e themelimit të Komunës së parë të Prizrenit, u ndanë mirënjohje për disa personalitete që dhanë kontribut në zhvillimin e kësaj komune. Me mirënjohje u nderua edhe Ilir Kulla nga Shqipëria për ndihmën e treguar në kohën e luftës në fushën e sigurisë. Ky i fundit i emocionuar u shpreh çdo shqiptarë anekënd botës është i lidhur me qytetin e prizrenit. 

“Me emrin e madh të Lidhjes së Prizrenit që është data “A” e fillimit tonë aty e kemi rrënjën aty e kemi gjenezën. Kush thotë shqiptarë thotë dhe prizren kështu që ky është  një obligim më tej.

Sidomos unë kam një reflektim për të rinjtë që shoh andej nga fundi që të jenë jo vetëm krenarë por edhe të bindur që kështu do të jetë edhe ardhmja, do të jetë gjithmonë e më mirë  por duhet të vazhdojnë të  punojnë  edhe më shumë, gjithmonë edhe më vetëbesues edhe në vend gjithmonë e më shumë kontribut.”