Sulmi vdekjeprurës i djeshëm përmes biperave që la pas 12 viktima dhe më shumë se 3000 të plagosur në të gjithë Libanin dyshohet se është organizuar nga inteligjenca izraelite.
Paniku i përhapur dhe skena kaotike u panë në periferitë jugore të Bejrutit, Luginën Bekaa dhe Libanin jugor, ndërsa në Sirinë fqinje 14 persona u plagosën nga shpërthimet, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani.
Më shumë se 2,750 njerëz u plagosën në gjithë Libanin, me më shumë se 300 persona në gjendje kritike, pasi biperat e përdorur nga militantët e Hezbollahut shpërthyen një e nga një brenda një kohe të shkurtër.
Skenat e terrorit në gjithë Libanin dhe Sirinë thuhet se u shkaktuan nga agjencia e fshehtë e inteligjencës izraelite Mossad, e cila bashkëpunoi me IDF-në për të vendosur eksplozivë në bipera.
Mossad ka një histori të gjatë operacionesh të stërholluara në territore të huaja, duke fituar famë fillimisht pasi kreu me sukses kapjen e guximshme të vitit 1960 të nazistit të rangut të lartë Adolf Eichmann, një nga arkitektët kryesorë të Holokaustit.
Pasi agjencia u informua se Eichmann, i cili u largua nga Gjermania në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, ishte fshehur në Buenos Aires, Argjentinë, ata dërguan një agjent për të nuhatur për të dhëna.
Pas javësh hetimi, ata gjetën dhe identifikuan nazistin e sëmurë, i cili deri atëherë jetonte si ‘Ricardo Klement’, në kryeqytetin e Argjentinës si punëtor, bënte një jetë e qetë dhe paqësore që ishte në kontrast të plotë me mjerimin dhe vuajtjen që ai u shkaktoi miliona njerëzve.
Kryeministri i atëhershëm i Izraelit, David Ben-Gurion, duke vlerësuar se Argjentina nuk kishte gjasa të ekstradonte zyrtarisht Eichmann, vendosi të ngarkonte Mossad-in për ta rrëmbyer atë dhe për ta sjellë në Izrael për t’u gjykuar për krimet e tij.
Më 11 maj 1960, Eichmann-it iu afruan agjentët e Mossad-it ndërsa ai kthehej në shtëpi nga puna me autobus. Ata iu afruan atij dhe më pas e rrëmbyen duke e futur në një makinë dhe ta fshihnin me një batanije përpara se ta transferonin në një strehë të përgatitur tashmë për mbërritjen e tij.
Atje, ai u mbajt për nëntë ditë ndërsa hetuesit punuan për të konfirmuar plotësisht identitetin e tij.
Më pas atij iu dha qetësues përpara se të transportohej me një fluturim të “El Al” me një pasaportë false për në Izrael, ku doli në gjyq për krimet e tij.
Megjithëse Eichmann është ndoshta shembulli më i famshëm i një objektivi të Mossad-it, agjencia ka pasur shumë incidente të tjera të profilit të lartë, madje edhe më vdekjeprurëse.
Më i dalluari ishte në vitin 2020, menjëherë pasi SHBA-ja eliminoi gjeneralin e rëndësishëm iranian Qasem Soleimani, kur Mossad vrau Mohsen Fakhrizadeh, shefin e programit bërthamor të Iranit.
Fakhrizadeh drejtoi programin iranian të pasurimit të uraniamit si dhe krahun e kërkimit dhe zhvillimit të ushtrisë.
Më 27 nëntor 2020, ai u vra ndërsa lëvizte me makinë në një rrugë rurale pranë Teheranit.
Megjithëse hollësitë e sakta të vdekjes së tij hanë debat, besohet se ai u vra nga një mitraloz i komanduar nga largësia në pjesën e pasme të një makine që ishte ngjitur pranë tij.
Ai thuhet se u qëllua 13 herë nga një largësi prej 150 metrash, përpara se makina që kishte mitralozin të shpërthente, sipas një llogarie të konfirmuar nga Ali Shamkhani i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit.
Mossad, së bashku me IDF-në, u raportuan gjithashtu të përfshirë në bombardimet me bbiper dhe radio marrësedhënëse të martën.
Shërbimi i sigurisë dhe ushtria thuhet se i kanë ngakuar me lëndë shpërthyese biperat dhe radiot, të cilët Hezbollahu i porositi nga një kompani tajvaneze e quajtur “Gold Apollo”. Detonatorët u aktivizuan rreth orës 15:30 me orën lokale të martën pasi morën një mesazh sikur të vinte nga grupi i lartë i Hezbollahut. Por në vend të kësaj, mesazhi aktivizoi eksplozivët.
Megjithëse Izraeli mund të ketë synuar të godasë luftëtarët e Hezbollahut, rreth 3,000 njerëz, shumë prej të cilëve janë civilë, u plagosën rëndë në valën e shpërthimeve.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Daily Mail
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani