Drejtuesi i Prokurorisë se Posaçme Altin Dumani dhe Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës, Stefan Blättler, zhvilluan një takim konstruktiv në Bernë, në datën ditën e djeshme (18 shtator 2024).
Gjatë këtij takimi të nivelit të lartë, u diskutuan zhvillimet më të fundit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionit.
Të dy drejtuesit e lartë, Dumani dhe Blättler, rikonfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin e shkëlqyer të nisur midis të dy zyrave përkatëse duke u bazuar në të drejtën e brendshme dhe instrumenteve ligjore ndërkombëtare të nënshkruar nga të dy shtetet përkatëse.
Bashkëpunimi ndërkombëtar i këtij lloji është thelbësor për të luftuar në mënyrë efektive të gjitha format e krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkufitar.
“Gjatë takimit, Dumani dhe Blättler theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të mira midis të dy institucioneve. Ky bashkëpunim ofron mundësi të shkëlqyera për vendosjen e një komunikimi të vazhdueshëm me qëllim shkëmbimin e përvojave më të mira dhe për krijimin e strategjive dhe njësive të përbashkëta hetimore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të dy vendet”, njoftoi zyra e shtypit të SPAK.
Dumani dhe Blättler nënvizuan se kjo frymë pozitive bashkëpunimi do të forcojë më tej përpjekjet e përbashkëta për një rend ligjor më të sigurt në të dy vendet dhe në rajon.