Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Prindërit e paragjykojnë, nxënësit të inkurajohen për arsimin profesional


Kryeministri Edi Rama theksoi në podkastin “Flasim” se arsimi profesional shpesh paragjykohet nga prindërit, por është një rrugë që duhet të inkurajohet për nxënësit, pasi ofron mundësi më të mira punësimi. Ai theksoi se ky lloj arsimi është thelbësor për suksesin e vendeve si Gjermania, Zvicra dhe Austria.

Rama shpjegoi se shumë prindër kanë një perceptim të gabuar, duke e konsideruar arsimin profesional si një alternativë më të ulët krahasuar me arsimin e përgjithshëm. Ai nënvizoi se nxënësit e arsimit profesional gjejnë punë më lehtë dhe se ky sistem ofron aftësi dhe njohuri praktike që janë të kërkuara në tregun e punës.

Ai e cilesoi arsimin profesional si një bazë solide për karrierë.

“Arsimi profesional është baza e suksesit të Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë. Por është zonë e paragjykuar nga shumë prindër që mendojnë se ndodh një lloj kategorizimi më i ulët në krahasim me nxënësit që shkojnë në arsimin e përgjithshëm.

Dhe nuk i vendosim faj. Sot nxënësit e arsimit profesional punësohen më lehtë, është gjynah që të mos ketë më shumë shtysë drejt arsimit profesional.

Shumë njerëz, prindër, por edhe nxënës kanë idenë që kur shkon në shkollë profesionale dhe mësimi mbetet aty.

Por kush kalon nga arsimi profesional, ka fituar ndërkohë edhe një informacion dhe aftësi për një zanat. Brenda universitetit ka edhe zanatin, mund të punojë ndërkohë me zanatin dhe fiton të ardhura.

Jo si një student që shkon dhe punon kamerier. Është një zanat i kërkuar me trajnim, jo më thjesht hajde futu, vish këmishën e bardhë”, tha Rama.