Vendosni fjalën kyçe....

“Ukrainës mund t’i duhet të lëshojë territore Rusisë, të paktën përkohësisht” – Presidenti çek


Presidenti çek Petr Pavel, ish-gjeneral i lartë i NATO-s, i cili ka qenë një nga mbështetësit më të fuqishëm të Ukrainës në luftën e saj me Rusinë, thotë se ai mendon se është koha që ukrainasit dhe mbështetësit e tyre të përballen me atë që ai thotë se është realiteti i ri.

Me krerët populistë miqësorë me Rusinë, si kryeministri Viktor Orban i Hungarisë, që prishin njëzëshmërinë evropiane për shkak të luftës dhe me lodhjen e 31 muajve të luftës “që po rritet kudo”, Ukraina “do duhet të jetë realiste” në lidhje me perspektivat e saj për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia, tha Pavel në një intervistë.

“Rezultati më i mundshëm i luftës, do jetë që një pjesë e territorit ukrainas të jetë nën pushtimin rus, përkohësisht.” – tha ai.

Megjithatë kjo “gjë e përkohshme” mund të zgjasë me vite, shtoi Pavel.

Presidenca çeke është një post kryesisht ceremonial, por pikëpamjet e Pavel, i cili u zgjodh vitin e kaluar me një diferencë të madhe, përgjithësisht përputhen me ato të qeverisë së qendrës së djathtë të vendit nën kryeministrin Petr Fiala.

Pavel ka ndikim të konsiderueshëm në çështjet e sigurisë si ish-shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë çeke dhe kryetar i mëparshëm i komitetit ushtarak të NATO-s.

Që nga dështimi vitin e kaluar i kundërofensive njëmujore të Ukrainës për të rimarrë territorin, zyrtarët evropianë kanë folur gjithnjë e më shumë privatisht për mundësitë e pakta të Ukrainës për të rikuperuar shumë toka të humbura. Në publik, ata kryesisht recitojnë mantrën se forma e çdo zgjidhjeje të ardhshme me Rusinë do jetë në dorën e Kievit që do marrë vendimin përfundimtar, jo Bashkimi Evropian apo NATO.

Çështja e së ardhmes së Ukrainës do jetë një temë kryesore në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë javë, ku presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do bëjë thirrje për më shumë mbështetje ushtarake dhe politike kur të mbajë një fjalim atje të mërkurën. Ai gjithashtu do t’i paraqesë një “plan fitoreje” presidentit Biden në Uashington të enjten përpara se ta zbulojë atë publikisht.

As Ukraina dhe as Rusia, tha Pavel, nuk mund të presin të sigurojnë qëllimet e saj maksimaliste. Për Ukrainën, kjo përfshin rimarrjen e të gjithë territorit, përfshirë Krimenë, të pushtuar nga Moska në 2014. Për Rusinë, Ukraina duhet të tëhiqet zyrtarisht nga territoret e pretenduara nga Moska, duke përfshirë katër rajone të kontrolluara vetëm pjesërisht nga forcat ruse.

“Të flasim për humbjen e Ukrainës ose disfatën e Rusisë, kjo thjesht nuk do ndodhë”, tha Pavel në zyrën e tij javën e kaluar.

“Kështu që fundi do të jetë diku në mes”.

Zelensky, i cili kishte përjashtuar bisedimet e drejtpërdrejta me Rusinë, e zbuti qëndrimin e tij gjatë verës, duke sugjeruar se bisedimet e drejtpërdrejta mund të fillonin në nëntor. Por ai nuk është tërhequr nga kërkesat që Rusia të largohet nga i gjithë territori ukrainas.

“Heqja dorë nga territory është një çështje shumë, shumë e vështirë”, i tha Zelensky gazetës franceze Le Monde në korrik.

Sondazhet e opinionit të kryera nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë së Kievit që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë tregojnë një rritje të dukshme që nga viti i kaluar në përqindjen e ukrainasve të gatshëm për të pranuar lëshime territoriale.

Kjo shifër u rrit në 32 përqind në maj të këtij viti, nga rreth 8 përqind në 10 përqind gjatë vitit të parë të luftës. Megjithatë, shumica e ukrainasve ende kundërshtojnë dorëzimin e tokës.

Pavel tha se kishte “një numër shembujsh” të territoreve të mbajtura përkohësisht nga Moska. Ai nuk specifikoi, por ekspertët në Evropën Lindore shpesh kanë vënë në dukje pushtimin e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë nga Bashkimi Sovjetik diçka me të cilën Ukraina mund të përballet nëse nuk rivendos kufijtë e saj para pushtimit. Kombet baltike u pushtuan për gjysmë shekulli, por ata përfundimisht e rikuperuan pavarësinë e tyre me rënien e komunizmit në 1991.

Republika Çeke, së bashku me Poloninë dhe shtetet baltike, ka qenë një mbështetëse veçanërisht e vendosur e Ukrainës, por është përballur me presionin në rritje të publikut për të frenuar ndihmën e saj dhe për ta shtyrë Ukrainën drejt një marrëveshjeje me Rusinë.

Gati dy të tretat e çekëve, sipas një sondazhi të kryer këtë verë, do mbështesin një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë edhe me koston e një pjese të territorit që mbetet nën kontrollin rus. 

Një studim i mëparshëm zbuloi se 54 për qind kundërshtuan dërgimin e armëve sipas politikës kryesore të vendit të tyre në Ukrainë, një program shumë miliardë dollarësh i njohur si Nisma Çeke për Municionet. Programi, i menaxhuar nga Ministria çeke e Mbrojtjes dhe i financuar nga Gjermania dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian, i ka dhënë Ukrainës qindra mijëra predha artilerie të siguruara nga tregtarët çekë të armëve nga prodhuesit në Turqi dhe gjetkë.

Pavel i hodhi poshtë si “të pakuptimta” thirrjet këmbëngulëse të krerëve si Orban, një kritik i ndihmës ushtarake, se Ukraina duhet të nxitojë me shpejtësi drejt paqes dhe të ndalojë konsumimin e burimeve që mund të shpenzoheshin më mirë për nevojat e brendshme të Evropës.

Por, tha ai, ukrainasit duhet të jenë “realistë në lidhje me mbështetjen që mund të arrijnë” nga qeveritë nën presion për të zvogëluar ndihmën kundër Rusisë.

“Çështja është e lidhur me populizmin,” tha Pavel.

“Është e lehtë të thuash ‘le të ndalojmë së ofruari Ukrainës armë dhe municione dhe pastaj paqja do të vijë vetë’.”

Ai shtoi se “si dikush me përvojë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe me njohuri për Rusinë, e di se paqja nuk do vijë nga një deklaratë e Ukrainës se ajo do ndalojë së luftuari”.

Rusia, tha ai, “nuk do i ndalojë veprimet e saj ushtarake”.

Orban, i cili ka denoncuar vijimësisht aleatët e tij të NATO-s si luftënxitës, bëri thirrje për ndalimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe kërkoi të mblidhte mbështetje për një “politikë paqeje” të keqpërcaktuar, është “ndoshta prototipi i populizmit evropian”, tha Pavel.

Orban udhëtoi për në Moskë në korrik për t’u takuar me presidentin rus Putin si pjesë e atij që ai e quajti “mision paqeje” që përfshinte gjithashtu një vizitë në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe në Pekin. Ishte hera e parë që një udhëheqës evropian kishte vizituar Rusinë për një takim zyrtar me Putin që nga muajt e parë pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.

Përpjekjet e Orban dështuan ta largonin Putin-in nga kërkesat gjithëpërfshirëse që Ukraina të tërhiqte trupat nga katër rajonet që Moska i ka shpallur pjesë të Rusisë dhe të heqë dorë nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO. Por qëndrimi i Orban është brohoritur nga kolegët skeptikë lidhur me Ukrainën, si kryeministri Robert Fico i Sllovakisë dhe nga politikanët miqësorë me Rusinë, si në të majtën ekstreme, ashtu edhe në të djathtën ekstreme, në gjithë Evropën.

“Duke përsëritur vijimësisht se të gjithë të tjerët duan luftë, por unë dua paqe, kjo i bën ata të duken shumë më mirënësyutë e  të tjerëve.” – tha Pavel.

“Për fat të keq, shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se një propozim i tillë është jorealist.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e New York Times