Vendosni fjalën kyçe....

8-mujori, realizohet vetëm 27.8% e investimeve publike, niveli më i ulët në pesë vite


Teksa programi buxhetor i investimeve kapitale është më e madhi në histori me 150,5 miliardë lekë (1,5) miliardë euro këtë vit, realizimi i 8 mujorit është më i ulëti së paku që nga viti 2020.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në 8 -mujor u alokuan 41 miliardë lekë nga buxheti në formën e investimeve kapitale. Kjo ishte vlera më e ulët e 5 viteve të fundit. Në raport me planin e periudhës realizimi ishte 15 për qind më i ulët.

Nga janari në gusht 2024 është realizuar vetëm 27.8 për qind e fondit vjetor të investimeve publike prej 150,5 miliardë lekësh.

Teksa programi i investimeve hasi në vështirësi këtë vit, qeveria në dy rishikimet që i bëri buxhetit 2024 i rriti edhe me tej financimet për këtë zë, duke shkurtuar disa programe të shëndetësisë dhe të bujqësisë që tashmë janë sektorë të nën- financuar.

Në buxhetin fillestar 2024 investimet kapitale u planifikuan në vlerën e 129, 3 miliardë lekëve, por me dy rishikimet që ju bënë buxhetit ky zë u rrit edhe me 21 miliardë lekë duke shkuar në 150.3 miliardë lekë. Shtesat në zërin e investimeve do të shkojnë si kosto më të larta për disa projekte të infrastrukturës rrugore.

Komuniteti i Transportit më herët në këtë vit i kërkoi qeverisë shqiptare informacion të detajuar për të justifikuar rritjen e kostove në projektet që tashmë janë pjesë e rrjetit TENT dhe janë në monitorim të drejtpërdrejte nga BE.
Investimet publike, në një pjesë të mirë të rasteve, janë projekte ineficiente, të paharmonizuara me nevojat dhe pa përfitim të prekshëm.

Me nivelin e abuzimit që është evidentuar së fundmi nga rastet e bëra publike nga SPAK, apo institucionet e tjera ligjzbatuese, rendimenti efektiv i investimit real krahasuar me shumën e shpenzuar për të arrin në nivele edhe poshtë 50%.

Ekspertët ekonomisë propozojnë ngritjen e një enti të posaçëm me ekspertë të pavarur në varësi të Parlamentit, që të ndjekë ecurinë e projekteve të investimeve publike, që nga propozimi e deri te klasifikimi dhe zbatimi, sipas kriterit që kanë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Ish Ministri i Financave Arben Malaj thotë se duhet të krijohet një zyrë e posaçme me ekspertë të pavarur në varësi të Parlamentit që të menaxhojë ecurinë e investimeve publike që në planifikim deri në ndikimin e tyre ekonomik dhe social.
Malaj tha se lista e PPP-ve, kontrolli i ecurisë së tyre duke analizuar në dinamikë ecurinë, kostot dhe problematikat duhet të jetë një aneks i detyruar i buxhetit faktik nga Ministria e Financave dhe të jetë certifikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor