Vendosni fjalën kyçe....

SHBA njofton paketë të re ushtarake prej 8 miliardë dollarësh për Ukrainën


Administrata e Bidenit ka shpallur të enjten një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, që arrin në gati 8 miliardë dollarë dhe përfshin bomba me rreze të gjatë që mund të godasin brenda territorit të Rusisë.

Njoftimi u bë ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, viziton Shtëpinë e Bardhë për të kërkuar leje për përdorimin e armëve precize me rreze të gjatë në territorin rus, një kërkesë që deri tani ka mbetur pa përgjigje, sipas USA Today.

Ukraina dëshiron të ketë mundësinë të godasë aeroportet dhe depot e municioneve brenda Rusisë, të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, i ka përdorur për të organizuar sulme shkatërruese në lagje rezidenciale dhe termocentrale.

Presidenti Joe Biden, përmes një deklarate, njoftoi se do të dërgojë më shumë se 5 miliardë dollarë në armë nga rezervat e Pentagonit për Ukrainën, duke shfrytëzuar autoritetin e dhënë nga Kongresi, para se mandati i tij të përfundojë në janar. Përveç kësaj, Pentagoni do të kontraktojë edhe 2.4 miliardë dollarë të tjera për armë mbrojtjeje ajrore, dronë dhe bomba.

Një prej armëve të rëndësishme të shpallura nga Biden është bomba me rreze të gjatë, e njohur si “Joint Standoff Weapon”, e cila mund të lëshohet nga avionë luftarakë dhe të godasë objektiva deri në 80 milje larg. Aktualisht, politika e Shtëpisë së Bardhë kufizon Ukrainën të godasë objektiva brenda territorit rus afër kufirit të saj.

Biden gjithashtu njoftoi zgjerimin e programeve të trajnimit për pilotët ukrainas të avionëve F-16. Administrata kishte qenë e rezervuar për t’i ofruar Ukrainës këta avionë luftarakë, duke u shqetësuar se kjo mund të shihej si përshkallëzim nga Putini dhe të çonte në një konflikt më të gjerë.

“Prej gati tre vitesh, Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr botën në mbështetjen e popullit të Ukrainës, teksa ata mbrojnë lirinë e tyre nga agresioni rus, dhe ka qenë prioritet i administratës sime që Ukraina të marrë ndihmën e nevojshme për të fituar,” tha Biden në një deklaratë.

Që nga fillimi i pushtimit të paprovokuar të Rusisë në shkurt 2022, SHBA ka ofruar më shumë se 56 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën.