Vendosni fjalën kyçe....

Çmimet e BE-së për Gazetari: Një taktikë për të heshtur gazetarët hulumtues


Nga Vudi Xhymshiti

Të shkëlqyerit në gazetari është një ideal i lartë. Gazetarët hulumtues i përkushtohen punës gjatë gjithë jetës së tyre, shpesh duke rrezikuar shumë dhe pa përfitime të mëdha materiale. Por kur institucionet me pushtet politik ofrojnë shpërblime për “ekselencë,” integriteti i profesionit vihet në pikëpyetje.

Çmimi i Gazetarisë Hulumtuese i Bashkimit Evropian, i cili tashmë është bërë një ngjarje e zakonshme vjetore në Kosovë, është një shembull i qartë se si entitetet politike përpiqen të kontrollojnë narrativat dhe të kufizojnë syrin kritik të gazetarisë i cili në fakt duhet t’i mbikëqyrë këto institucione.

Kjo praktikë, e prezantuar nga misioni i BE-së pas disa skandaleve të mëdha të korrupsionit në Kosovë, ngjall shqetësime. Që nga viti 2014, kur gazetarët hulumtues ekspozuan korrupsionin e thellë dhe keqmenaxhimin brenda EULEX-it në Kosovë, misioni i BE-së ka marrë shumë pak ose aspak vëmendje nga mediat profesionale.

A janë zhdukur skandalet, apo është strategjia e re e BE-së për të shpërblyer gazetarët që ka minimizuar ekspozimin e dobësive të tyre?

Nuk mund të harrojmë detajet tronditëse të skandalit më famëkeq të EULEX-it në vitin 2014, kur dokumente të brendshme të rrjedhura nga një sinjalizuese, prokurorja britanike Maria Bamieh, zbuluan detajet kontakteve kriminale të zyrtarëve të EULEX-it me të dyshuarit në raste penale, përfshirë marrjen e supozuar të €350,000 në ryshfet (The Guardian).

BE-ja luftoi ashpër për të kontrolluar dëmin, duke insistuar në hetimet e brendshme dhe duke ushtruar presion mbi gazetarët që të heshtnin. Pretendimet e Bamieh u hodhën poshtë, karriera e saj u shkatërrua dhe pak gjëra dolën nga hetimi i vonuar i BE-së (Balkan Insight).

Por, ndërsa ai skandal tronditi Kosovën dhe Evropën, BE-ja ndryshoi shpejt qasjen e saj ndaj mediave në vend. Mënyra më e mirë për të kontrolluar kritikën, duket se nuk është censura e drejtpërdrejtë, por një metodë më e fshehtë, shpërblimi i gazetarisë që përputhet me narrativën e BE-së.

Çmimi për Gazetari Hulumtuese, mbështetur nga organizata të zhvillimit të medias me reputacion, paraqitet si një njohje e nderuar e guximit dhe aftësisë së gazetarisë. Megjithatë, nuk mund të shkëputet nga origjina e tij: një nismë e financuar nga BE-ja pas tronditjes së integritetit të misionit të saj në vitin 2014 (EU Monitor).

Sa herë kemi dëgjuar për histori të mëdha korrupsioni në EULEX pas vitit 2014?

Asnjë. Heshtja është tronditëse.

Gazetaria, nga natyra e saj, duhet të jetë e pavarur. Çmimi Pulitzer, ndoshta çmimi më prestigjioz në botë për gazetari, jepet nga organe të pavarura, duke siguruar që nderimet më të larta në këtë fushë të mos lidhen me institucione qeveritare. David Barstow, një gazetar hulumtues që ka fituar tre herë çmimin Pulitzer, ka thënë se gazetaria duhet të veprojë si “qen roje ndaj të fuqishmëve”.

Misioni i BE-së në Kosovë, përmes skemës së tij të çmimeve, kërcënon këtë funksion thelbësor. Ai inkurajon gazetarët të fokusohen në tema më “të sigurta” – korrupsionin në qeverisjen lokale ose sektorin privat, ndërsa skandalet brenda EULEX-it zbehen në heshtje.

Kjo mungesë e papritur e vëzhgimit të misionit të BE-së nga ana e gazetarëve në Kosovë, nuk vjen nga përmirësimi i papritur i sjelljes së tij, por nga fakti se shpërblimi i gazetarëve funksionon si një mbulesë. Prestigji i një çmimi të financuar nga BE-ja duket se e ka shpërqendruar komunitetin gazetaresk në Kosovë nga roli i tij parësor: mbajtja nën llogaridhënie e pushtetit, përfshirë vetë BE-në.

Jeta Xharra, një nga gazetaret më të njohur në Kosovë, festoi në Facebook faktin që kolegët e saj në KALLXO.com fituan vendin e parë në Çmimin për Gazetari Hulumtuese të BE-së.

“Koleget e mi ma t’mirët ne Kosove per gazetari hulumtuese, (po thote EU)! E fitun vendin e pare apet, si gati çdo vit! Çfarë kënaqësie me punu me ma t’mirt e vendit tem!” — theksoi ajo, duke nënvizuar se KALLXO.com fiton vazhdimisht këto çmime.

Por, çfarë përfaqësojnë këto fitore?

Se këta gazetarë janë të shkëlqyer në zanatin e tyre? Ndoshta. Por kur çmimet jepen nga vetë institucioni që duhet të jetë objekt i një vëzhgimi e hulumtimi gazetaresk të thelluar, ato tregojnë diçka shumë më shqetësuese: një vijë gjithnjë e më të paqartë midis gazetarisë dhe propagandës.

Kolegët e Xharrës në KALLXO.com u shpërblyen për punën e tyre hulumtuese mbi korrupsionin lokal në Brezovicë, duke ekspozuar aktivitetet e paligjshme të biznesmenëve dhe zyrtarëve lokalë që lejuan ndërtimin e qindra ndërtesave të paligjshme në një zonë të mbrojtur. Ky hulumtim, ndërsa është i rëndësishëm, është përqendruar kryesisht në korrupsionin lokal, jo në veprimet e misionit të BE-së apo organizatave ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.

BE-ja duket se ka zhvendosur në mënyrë strategjike fokusin e gazetarëve, duke ofruar shpërblime financiare dhe prestigj për ata që janë të gatshëm të ndriçojnë dritën diku tjetër, por jo në misionin e saj në Kosovë.

Strategjia aktuale e BE-së për të ofruar çmime për gazetarinë komprometon drejtpërdrejt integritetin e gazetarisë. Krijon një varësi të pashëndetshme ku gazetarët dhe redaksitë konkurrojnë jo për të vërtetën, por për shpërblime, para dhe njohje nga aktorët politikë. Në Kosovë, misioni më i madh i huaj i BE-së duket se tani rehatshëm ka kaluar nga të qenit objekt i gazetarisë hulumtuese në përfituesin e vetë profesionit që supozohet ta mbajë atë nën dritën e llogaridhënies.

Përpjekjet e BE-së nuk kanë kaluar pa u vënë re. Ndërsa gazetaria shkon drejt kënaqjes së dorës që e ushqen atë (pra, BE-së), syri kritik mbi operacionet dhe keqmenaxhimin e vazhdueshëm të EULEX-it është zhdukur thuajse krejtësisht nga diskursi publik. Për ta errësuar më tej këtë zhvendosje, BE-ja ka krijuar me kujdes çmimet e saj për të theksuar korrupsionin në nivele të ulëta të qeverisjes dhe institucioneve të parëndësishme, duke zhvendosur vëmendjen larg llogaridhënies së saj (Kosova Press).

Ndërsa festojmë gazetarinë hulumtuese, duhet të pyesim gjithashtu nëse është e përshtatshme që ndonjë institucion politik, qoftë BE-ja apo dikush tjetër, të financojë dhe shpërblejë median që ka për detyrë ta mbajë atë nën kontroll.

“Gazetaria hulumtuese nuk mund të lulëzojë nën sponsorizimin politik,” thotë gazetari fitues i çmimit Pulitzer, Seymour Hersh.

Kur qeveritë dhe institucionet e fuqishme fillojnë të ofrojnë çmime për “ekselencë,” duhet të pyesim se çfarë lloj historish po inkurajohen, dhe cilat po anashkalohen në heshtje.

Ajo që po shohim sot në Kosovë është një strategji e fshehtë: një fasadë e lirisë së medias, ndërsa qëllimi i vërtetë i gazetarisë hulumtuese, pra ndjekja e pashtershme e së vërtetës, edhe kur përfshihen të fuqishmit, duket sikur po asgjësohet në heshtje. Çmimet gazetareske të BE-së, larg promovimit të shkëlqimit të gazetarisë, janë një mekanizëm për të shtypur vëzhgimin e syrit kritik të gazetarit dhe për të siguruar që skandalet e BE-së të mos dalin më në dritë.

Koha ka ardhur që gazetarët të rishikojnë çmimin e heshtjes së tyre. Integriteti gazetaresk e personal nuk ja vlen të sakrifikohet për asnjë shpërblim, sado prestigjioz apo fitimprurës. Për aq kohë sa dora e BE-së udhëheq shpërndarjen e këtyre shpërblimeve, kam përshtypjen se media në Kosovë do të mbetet e komprometuar, dhe qytetarët e Kosovës, si dhe ata të Ballkanit e më gjerë, do të jenë ata që do të paguajnë çmimin.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Revistaspot