Ervin Salianji në deklaratën e tij për mediat tha se dënimi ndaj tij është goditje nën brez për të kënaqur grupet kriminale.
Ai tha se është shkelur ligji, që vëllezërit Fatmir Xhafaj e Agron Xhafaj t’i shpëtonin ligjit.
“U shkel ligji që vëllezërit Xhafaj t’i shpëtonin drejtësisë. Dënimi im është se i kam prishur reputacionin një trafikanti ndërkombëtar droge. Unë nuk shkoj në burg, siç thotë gjykata e kunatave të Ballukut dhe të gjykatësve që kanë të punësuar familjen nëpër dogana.
Por, shkoj në burg si njeri që ka dëshmuar me prova fakte tronditëse. Kjo është goditje nën brez për të kënaqur grupet kriminale. Njeriu vlen nëse nuk përkulet dhe kundërshtarin e përballon me çdo mjet”, deklaroi Salianji
Gjithashtu Salianji tha se plani i burgosjes së tij është për të goditur opozitën.
“E vetmja mënyrë për t’u thënë njerëzve që njeriu vlen nëse nuk përkulet dhe kur kundërshtarin e përballon me çdo mjet.
Atë që do të bëj edhe tani. Nuk na trembin dot as mua, as PD as opozitën. Përballë do më kenë tani, gjatë këtij viti e deri kur siç janë kalbëzuar të rrëzohen. Plani për burgosje, plan për të goditur opozitën.
Si ka mundësi që krerët e opozitës janë ose në burg ose në ndjekje penale?
Nuk dorëzohemi! Është dita jonë e forcës. Më 8 tetor duhet të jemi bashkë për t’u shuar gëzimin se po shuajnë opozitën e PD.”- tha ai.