Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar të padisë Google nëse fiton zgjedhjet e vitit 2024, duke akuzuar kompaninë gjigante të teknologjisë për manipulim të rezultateve të kërkimit në favor të Nënpresidentes Kamala Harris.
Në një postim në Truth Social, Trump ka pohuar se Google përdor një sistem “të paligjshëm” që promovon lajme negative për të, ndërsa thekson vetëm mbulime pozitive për Harris.
Trump nuk përmendi ndonjë ligj të veçantë, por paralajmëroi se, nëse zgjidhet president, do t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së të ndjekë penalisht Google për atë që e quajti “ndërhyrje e hapur” në zgjedhje.
“Ky është VEPRIM I PALIGJSHËM,” tha Trump. “Do të kërkoj ndjekjen e tyre penale, në nivelet maksimale, kur të fitoj zgjedhjet dhe të bëhem President i Shteteve të Bashkuara!”
Deklaratat e Trump-it duket se janë të lidhura me një studim nga Qendra Kërkimore Mediatike (Media Research Center), një grup konservator që pretendon se algoritmi i kërkimit të Google favorizon Harris-in mbi Trump-in, raportoi USA Today nga Washingtoni.
Studimi, i mbuluar nga media si Fox News dhe New York Post, u përqendrua në një kërkim të bërë më 6 shtator 2024 për frazën “Donald Trump gara presidenciale 2024”.
Sipas studimit, seksioni “Lajmet Kryesore” shfaqi shtatë artikuj nga media të përshkruara si të majta, siç janë New York Times dhe Politico, përpara se të lidhej me faqen zyrtare të fushatës së Trump-it.
Google ka mohuar këto akuza.
Një zëdhënës i kompanisë, që preferoi të mbetej anonim, tha se rezultatet e kërkimit reflektojnë përmbajtjen që ndryshon vazhdimisht në internet dhe nuk manipulohet për të favorizuar ndonjë kandidat.
Zëdhënësi shtoi se studimi i Qendrës Kërkimore Mediatike shqyrtoi vetëm një term kërkimi në një ditë të caktuar, duke theksuar se faqet e fushatave të Trump-it dhe Harris-it ishin renditur në rezultatet kryesore.