Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Vëngu në Zall-Herr: Forcat Speciale së shpejti me qendër multifunksionale


Forcat e Repartit të Operacioneve Speciale në Zall-Herr do të kenë shumë shpejt qendrën multifunksionale, punimet për të cilën janë realizuar aktualisht në masën 80%.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu së bashku me Atasheun ushtarak amerikan në Shqipëri, Kapiten i rangut të II, Eric Cote inspektuan punimet që po kryhen në këtë godinë, ndërtimi i të cilës ka nisur në prill të vitit 2023 dhe pritet të përfundojë sipas planit në qershor të vitit të ardhshëm.

Komandanti i ROS, nënkolonel Ajet Jata tregoi për detajet e këtij projekti. Ata vizituan edhe mjediset e palestrës dhe hambarit të skafeve, të cilat tashmë janë funksionale.

Gjatë inspektimit, Vëngu u shpreh se “Forcat Speciale janë kapacitet kombëtar dhe pesha e përgjegjësisë është më e madhe për t’u përballur me operacione mjaft specifike”.

“Ju keni pasur një historik shumë të mirë nga pikëpamja e certifikimit të personelit sipas standardeve të NATO-s, madje edhe përtej pritshmërive kalendarike. Ne duhet që këtë përkushtim të personelit tuaj ta mbështesim jo vetëm nga pikëpamja e trajtimit në pagë dhe në vështirësi pune, jo vetëm në infrastrukturë, pasi investimet do të vazhdojnë këtu, por edhe sa i përket mjeteve të logjistikës që përdorin”, u shpreh Vëngu.

Reparti Operacioneve Speciale në Zall-Herr, prej disa vitesh i është nënshtruar rikonstruksionit me faza. Godina shumëfunksionale do të ketë një kapacitet për rreth 400 forca speciale.

Po ashtu, ajo do të ketë edhe një poligon modern për kryerjen e qitjeve me armët e lehta. Në këtë objekt janë parashikuar edhe ambiente, ku efektivët mund të kalojnë kohën e lirë. Kjo godinë do të ketë gjithashtu edhe një sallë të veçantë për komunikimin me NATO-n.

Reparti i Operacioneve Speciale vazhdon stërvitjet intensive në kuadër të stërvitjes për vlerësimin kombëtar të “SOLTG” që do të zhvillohet në fillim të muajit tetor 2024.