Uragani Helene ka shkaktuar tragjedi në juglindjen e Shteteve të Bashkuara, me të paktën 43 të vdekur dhe miliona njerëz pa energji elektrike pas kalimit të tij të fuqishëm.
Stuhia e regjistruar si një nga më të fortat në historinë e Floridës goditi të premten, duke lënë pas përmbytje katastrofike dhe dëme të mëdha.
Zyrtarët e emergjencës po vazhdojnë operacionet e shpëtimit duke përdorur helikopterë dhe anije për të ndihmuar ata që janë bllokuar në ujërat e përmbytura, sipas BBC.
Rreth 50 punonjës dhe pacientë janë shpëtuar nga çatia e një spitali në Tenesi, ndërsa një familje nga Florida përshkroi momentet dramatike kur u detyruan të notonin për të shpëtuar nga shtëpia e tyre.
Dëmet e shkaktuara nga Helene pritet të arrijnë në miliarda dollarë, sipas institucioneve të sigurimeve.
Në Florida, të paktën 8 persona kanë humbur jetën, përfshirë 5 në qarkun e Pinellas. Gjeorgjia ka raportuar 15 viktima, përfshirë një punonjës të emergjencës, ndërsa Karolina e Jugut ka patur të paktën 17 të vdekur.
Uragani, i cili ishte në kategorinë katër, arriti bregun natën e së enjtes dhe vazhdoi të ishte uragan për gjashtë orë pas uljes në tokë. Sipas Qendrës Kombëtare për Uragane (NHC), vala e stuhisë arriti lartësinë mbi 15 këmbë (4.5 metra) në disa pjesë të bregut të Floridës.
Në përgjigje të situatës, guvernatori i Gjeorgjisë, Brian Kemp, ka urdhëruar dërgimin e 1,000 trupave të Gardës Kombëtare për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit, ndërsa më shumë se 150 rrugë janë të bllokuara dhe 1,300 sinjale trafiku janë jashtë funksioni.
Deri në fund të ditës, më shumë se 3 milion shtëpi dhe biznese në juglindje ishin pa energji elektrike, duke e bërë këtë një nga stuhitë më shkatërruese të viteve të fundit. Operacionet e shpëtimit vazhdojnë, dhe zyrtarët po bëjnë thirrje për ndihmë për ata që janë të bllokuar nga përmbytjet.